Tre fuqitë më të mëdha bërthamore, SHBA-ja, Rusia dhe Kina, kanë nisur një takim historik trepalësh në Shenzhen të Kinës, ku në qendër të diskutimeve janë vendosur kontrolli i armëve bërthamore, reduktimi i arsenaleve atomike dhe tensionet ndërkombëtare.
Tre fuqitë më të mëdha bërthamore, SHBA-ja, Rusia dhe Kina, kanë nisur një takim historik trepalësh në Shenzhen të Kinës, ku në qendër të diskutimeve janë vendosur kontrolli i armëve bërthamore, reduktimi i arsenaleve atomike dhe tensionet ndërkombëtare. Donald Trump deklaroi se tre vendet duhet të diskutojnë mundësinë e pakësimit të armëve bërthamore, ndërsa Xi Jinping bëri thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët mes fuqive të mëdha.
Presidentët Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping janë ulur për herë të parë në një takim të përbashkët trepalësh me dyer të mbyllura, në rezidencën qeveritare Kylin Villa, në Shenzhen, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Në hapje të takimit, Trump e vendosi çështjen e çarmatimit bërthamor në krye të agjendës, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina, si tri fuqitë kryesore atomike në botë, kanë një përgjegjësi të veçantë për të diskutuar reduktimin e armëve bërthamore dhe kufizimin e rreziqeve që lidhen me to.
“Si tre fuqitë më të mëdha bërthamore në botë, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina janë në një pozicion të privilegjuar për të diskutuar se si të reduktojmë numrin e armëve bërthamore në planet dhe, njëkohësisht, të ulim rreziqet që lidhen me këto armë”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump theksoi gjithashtu nevojën për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore në vende të tjera, duke përmendur në mënyrë të veçantë Iranin.
“Është thelbësore të bashkëpunojmë për të kundërshtuar kërcënimin e përhapjes së armëve bërthamore në vende të tjera. Kjo është ajo që po bëjmë edhe në raport me Iranin. Ne nuk do të lejojmë që Irani të pajiset me armë bërthamore”, u shpreh ai.
Xi Jinping: Fuqitë e mëdha kanë përgjegjësi historike
Nga ana e tij, presidenti kinez Xi Jinping e cilësoi takimin si një ngjarje me rëndësi historike, duke u bërë thirrje dy homologëve të tij që të nxjerrin mësime nga historia dhe të marrin përgjegjësitë që u takojnë si udhëheqës të fuqive të mëdha.
“Ne duhet të mësojmë nga historia. Vendet e mëdha kanë ndarë një përgjegjësi të përbashkët”, deklaroi Xi në fjalën e tij të parë në takimin trepalësh.
Sipas Pekinit, takimi mes tre liderëve të vendeve me arsenalet më të mëdha bërthamore në botë ka një rëndësi të veçantë për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.
Tre presidentët janë ulur rreth një tryeze të madhe të rrumbullakët, me Xi Jinping në qendër, Vladimir Putinin në të djathtë dhe Donald Trumpin në të majtë, ndërsa delegacionet përkatëse janë pozicionuar në një distancë nga liderët.
Ukraina dhe Irani, në tryezën e bisedimeve
Përveç çështjes bërthamore, në agjendën e takimit janë edhe lufta në Ukrainë, konflikti në Iran, siguria energjetike dhe marrëdhëniet mes tri fuqive.
Takimi trepalësh u parapri nga disa bisedime dypalëshe. Fillimisht, Xi Jinping zhvilloi një takim rreth dyorësh me Putinin, ku dy liderët diskutuan forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes Rusisë dhe Kinës, duke vlerësuar se marrëdhëniet mes tyre kontribuojnë në stabilitetin global.
Më pas, Trump zhvilloi një bisedë rreth 40-minutëshe me presidentin rus. Takimi nuk ishte një negociatë formale dypalëshe, por një bisedë informale në kuadër të samitit. Sipas Kremlinit, çështja kryesore ishte lufta në Ukrainë.
Putin u largua nga takimi në një gjendje shumë të mirë shpirtërore, sipas këshilltarit diplomatik rus Yuri Ushakov dhe Kremlinit. Trump, nga ana e tij, e cilësoi Putinin mik dhe deklaroi se marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të mira prej shumë vitesh. Megjithatë, nuk u njoftua për ndonjë përparim konkret në negociatat për Ukrainën.
Ndërkohë, takimi mes Trumpit dhe Xi Jinping zgjati më shumë se një orë dhe përfshiu diskutime mbi tregtinë, bujqësinë, situatën në Lindjen e Mesme dhe pasojat e luftës në Iran për tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Trump deklaroi se të dyja vendet dëshirojnë të kontribuojnë në përfundimin e konfliktit në Ukrainë, ndërsa vlerësoi pozitivisht marrëdhëniet tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit.









