Më 25 nëntor 2020, një datë që është ngulitur përgjithmonë në kujtesën dhe zemrat e tifozëve të futbollit në mbarë botën. Çdo vit, në këtë ditë, adhuruesit e futbollit vajtojnë humbjen e Diego Armando Maradonës së madh, i cili u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare.
Kjo ishte dita kur bota u trondit nga lajmi se “magjistari i topit” nuk ishte më mes nesh. Njeriu që e shndërroi futbollin në art, fe dhe një lloj revolucioni shoqëror, la pas një boshllëk të pazëvendësueshëm, por edhe një legjendë që refuzon të zbehet. Për më tepër, muajin e ardhshëm pritet të përfundojë beteja e gjatë gjyqësore lidhur me rrethanat e dyshimta të vdekjes së tij, duke bërë që më në fund të shkruhet epilogu që ende ka mbetur i hapur.
Dita kur koha ndaloi
Maradona ndërroi jetë rreth orës 13:00 të datës 25 nëntor 2020, në shtëpinë e tij në Tigre të Buenos Airesit, si pasojë e një arresti kardiak. Sipas gjetjeve mjekësore, ai vuante nga probleme të rënda shëndetësore, si kardiomiopatia e dilatuar, miokarditi dhe cirroza e mëlçisë.
Megjithatë, dëshmitë e mjekëve ligjorë dhe ekspertëve gjatë procesit gjyqësor që pasoi nxorën në pah mangësi të rënda në kujdesin mjekësor përpara vdekjes së tij, si dhe interpretime kontradiktore.
Mjeku ligjor Carlos Cassinelli dëshmoi se trupi i Maradonës kishte shenja të qarta të mungesës së zgjatur të oksigjenit (hipoksi), grumbullimit të lëngjeve në kraharor dhe edemës së përgjithshme. Ai arriti në përfundimin se Maradona kishte vuajtur për rreth 12 orë përpara se të ndërronte jetë, duke rrëzuar kështu versionin e një vdekjeje të menjëhershme.
Eksperti Pablo Ferrari, i thirrur nga pala mbrojtëse e mjekut të Maradonës, Leopoldo Luque, vuri në pikëpyetje procedurën e autopsisë, pasi nuk ishte kryer një test për koronavirusin. Ai argumentoi se nuk duhej përjashtuar mundësia e një vdekjeje të papritur nga Covid-19.
Gjetjet e paraqitura në gjykatë treguan praninë e barnave psikotrope në organizmin e tij, por nuk u gjetën gjurmë alkooli apo substancash narkotike të paligjshme.
Kirurgët dhe mjekët theksuan se shtëpia në Tigre nuk dispononte pajisjet e nevojshme mjekësore, si për shembull defibrilatorin. Gjithashtu, u pretendua se ishin shpërfillur simptomat paralajmëruese të pamjaftueshmërisë kardiake. Madje, u zbulua edhe një gabim i rëndë procedural nga ana e një komisioni mjekësor, i cili kishte shqyrtuar kartelat klinike të babait të Maradonës në vend të atyre të vetë futbollistit.
Të akuzuarit dhe marrëdhënia me mjekun e tij
Në qendër të procesit gjyqësor ishte marrëdhënia e Maradonës me neurokirurgun Leopoldo Luque.
Siç dëshmuan edhe motrat e Diegos, ai i rezistonte vazhdimisht trajtimit mjekësor, por Luque ishte i vetmi mjek të cilit i besonte. Gjatë dëshmisë së tij, Luque e përshkroi Maradonën si idhullin dhe mikun e tij të ngushtë, duke deklaruar i emocionuar se: “I vetmi person që do të më mbronte edhe sot, do të ishte Diego”.
Megjithatë, gjatë seancave gjyqësore u zbulua se Luque nuk e kishte kryer vetë ndërhyrjen e rëndësishme kirurgjikale për heqjen e hematomës në tru, në nëntor të vitit 2020, pasi vajzat e Maradonës, Dalma dhe Gianinna, si dhe mjekë të tjerë, e kishin konsideruar atë si të papërshtatshëm për këtë ndërhyrje.
Për më tepër, ai dyshohet se kishte falsifikuar raportin kirurgjikal, në mënyrë që të paraqitej si kirurgu kryesor i operacionit. Vajzat e Maradonës e akuzuan drejtpërdrejt se kishte imponuar kujdesin mjekësor në shtëpi, pavarësisht kundërshtimeve të tyre.
Përveç Luques, prokuroria ngriti akuza edhe ndaj personave të tjerë të përfshirë në kujdesin e tij mjekësor:
Nancy Forlini (koordinatore mjekësore – Swiss Medical): Akuzohet se miratoi transferimin e tij në një shtëpi që nuk dispononte pajisjet e nevojshme mjekësore. Mbrojtja e saj pretendoi se vendimi ishte marrë ekskluzivisht nga Luque dhe Cosachov.
Agustina Cosachov (psikiatre): Akuzohet se nuk kontrolloi efektet anësore të barnave psikotrope në sistemin e tij të rënduar kardiovaskular dhe se bashkëfirmosi vendimin për trajtimin në shtëpi.
Carlos Díaz (psikolog – specialist i varësive): Akuzohet se, megjithëse shihte përkeqësimin e shpejtë fizik dhe ënjtjet gjatë procesit të shkëputjes së Maradonës nga alkooli, nuk rekomandoi transferimin e tij në spital.
Mariano Perroni (koordinator i infermierëve): Akuzohet për organizim kaotik të turneve dhe kontroll të pamjaftueshëm të parametrave jetësorë të pacientit.
Ricardo Almirón (infermier): Kishte turnin gjatë natës përpara vdekjes së Maradonës dhe akuzohet se shpërfilli shenjat paralajmëruese të përkeqësimit të gjendjes së tij. (Shënim: Infermierja e turnit të mëngjesit, Diana Gisella Madrid, kërkoi dhe mori miratimin për një gjykim të veçantë me juri.)
Pedro Di Spagna (mjek klinik): Dëshmoi se nuk i ishte lejuar ta ekzaminonte pacientin gjatë dy vizitave të fundit.
Turma e madhe në duartrokitjen e fundit
Ceremonia mortore e Diegos u zhvillua më 26 nëntor 2020, në pallatin presidencial Casa Rosada në Buenos Aires, në një atmosferë zie kombëtare të paprecedentë.
Trupi i tij u vendos në një arkivol të mbyllur, të mbështjellë me flamurin e Argjentinës, ndërsa sipër tij u vendosën fanellat me numrin “10” të Kombëtares argjentinase dhe të Boca Juniors.
Rreth një milion njerëz mbushën rrugët e kryeqytetit për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Fillimisht, ai u varros në varrezat private “Jardin de Bella Vista”, në periferi të San Miguelit, ndërsa tashmë është miratuar transferimi i trupit të tij në mauzoleun e ri publik M10 Memorial, në qendër të Buenos Airesit.
Momenti i vendimit në procesin gjyqësor dramatik
Ndërkohë, përvjetori i këtij viti e gjen familjen e tij dhe miliona admirues në mbarë botën në pritje, pasi brenda më pak se një muaji pritet vendimi përfundimtar gjyqësor për të përcaktuar nëse vdekja e tij erdhi si pasojë e neglizhencës mjekësore apo jo.
Procesi gjyqësor për vdekjen e Maradonës në Argjentinë ka përfunduar tashmë dhe vendimi përfundimtar i gjykatës është caktuar të shpallet më 22 dhjetor.
Gjyqi fillestar, i cili kishte nisur në mars të vitit 2025, u anulua pas dy muajsh, për shkak të dorëheqjes së një gjyqtareje, pasi u zbulua se ajo kishte marrë pjesë në xhirimet e një dokumentari brenda ambienteve të gjykatës.
Gjyqi i ri, i dyti me radhë, nisi në prill të vitit 2026 në San Isidro dhe zgjati gjashtë muaj. Ai përfshiu 51 seanca dëgjimore dhe mbi 70 dëshmitarë.
Në bankën e të akuzuarve u ulën shtatë profesionistët e shëndetësisë, të cilët përballeshin me akuzën e vrasjes me dashje, me pranimin e mundësisë së pasojës fatale.
Prokuroria e cilësoi kujdesin ndaj tij si “neglizhencë kaotike” dhe kërkoi dënime me burg nga 4 deri në 12 vjet për gjashtë prej të akuzuarve:
Leopoldo Luque (mjeku personal): 12 vjet burg.
Nancy Forlini (koordinatore mjekësore): 10 vjet burg.
Agustina Cosachov (psikiatre): 8 vjet burg.
Carlos Díaz (psikolog dhe specialist i varësive): 5 vjet burg.
Mariano Perroni dhe Ricardo Almirón (infermierë): nga 4 vjet burg secili.
Ndërkohë, gjykata shpalli të pafajshëm të akuzuarin e shtatë, mjekun klinik Pedro Di Spagna, pasi prokuroria dhe pala civile tërhoqën akuzat ndaj tij.
Nga ana e tij, i akuzuari kryesor, Leopoldo Luque, u deklarua i pafajshëm. Avokatët e tij mbrojtës argumentuan se ai po përdorej si “kokë turku” për një vdekje të papritur dhe të paparashikueshme.
“Perëndia” që u mund nga demoni i drogës
Megjithatë, pavarësisht se çfarë do të vendosë në fund gjykata, ekziston një e vërtetë e pamohueshme: Marrëdhënia e Diegos me drogën ishte e gjatë, shkatërruese dhe la gjurmë në karrierën, shëndetin dhe vetë jetën e tij.
Madje, ylli argjentinas kishte pranuar publikisht se iu drejtua substancave narkotike në përpjekje për të përballuar stresin e jashtëzakonshëm, presionin e famës dhe lodhjen fizike.
Mendohet se ai provoi për herë të parë kokainën gjatë qëndrimit te Barcelona, në moshën rreth 22-24 vjeç, në periudhën 1982-1984.
Pas transferimit te Napoli (1984-1991), ku adhurohej si një perëndi, varësia e tij doli jashtë çdo kontrolli.
Kjo varësi e çoi në pezullime të përsëritura, të cilat i ndërprenë para kohe karrierën futbollistike. Ajo u shënua nga tri dënime të rënda dhe të njëpasnjëshme për përdorim substancash të ndaluara.
Gjithçka nisi në vitin 1991, kur Maradona rezultoi pozitiv për kokainë pas një kontrolli antidoping në ndeshjen Napoli-Bari. Si pasojë, FIFA e pezulloi për 15 muaj, ndërsa ai u arrestua në Argjentinë për posedim droge.
Tre vite më vonë, gjatë Kupës së Botës në SHBA, në vitin 1994, në organizmin e tij u zbulua efedrinë, e marrë përmes një suplementi ushqimor. Si rezultat, ai u përjashtua nga turneu dhe u pezullua sërish për 15 muaj.
Cikli i dënimeve përfundoi në vitin 1997, kur, si lojtar i Boca Juniors, rezultoi përsëri pozitiv për kokainë. Ky zhvillim shënoi edhe largimin e tij përfundimtar nga futbolli aktiv.
Megjithatë, abuzimi me substancat vazhdoi edhe pasi ai “vari këpucët në gozhdë”.
Në vitin 2000, pas një mbidoze në Uruguai, ai për pak sa nuk humbi jetën. Ky incident e çoi drejt një trajtimi të gjatë në Kubë.
Në vitin 2004, ai u shtrua sërish në spital në gjendje kritike, me probleme të rënda kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes.
Megjithëse nga mesi i viteve 2000 arriti në një masë të madhe të largohej nga kokaina, ai zhvilloi një varësi të fortë ndaj alkoolit dhe barnave qetësuese kundër ankthit, gjë që rëndoi edhe më shumë gjendjen e mëlçisë dhe zemrës së tij.
“Nuk kam arritur ende të dal nga ky kurth. Po përpiqem të gjej një zgjidhje, por droga vazhdon të jetë pjesë e jetës sime”, deklaronte ai i zhgënjyer në vitin 2008.
Vlen të theksohet se në fillim të viteve ’80, ai kishte marrë pjesë aktivisht në emisione televizive në Spanjë, ku u bënte thirrje të rinjve të qëndronin larg drogës.
Megjithatë, gjatë së njëjtës periudhë, ai u akuzua se në një nga udhëtimet e tij të shumta drejt Argjentinës, kishte shkuar deri aty sa të fshihte një sasi kokaine brenda medaljonit të vajzës së tij.
Nga rrugicat e Villa Fioritos në majën e botës
I lindur në vitin 1960 në një lagje të varfër të Buenos Airesit, në Villa Fiorito, Maradona e nisi karrierën profesioniste të futbollit në vitin 1976, te Argentinos Juniors, në moshën gati 15-vjeçare.
Më pas u transferua te skuadra e zemrës, Boca Juniors (1981-1982), me të cilën fitoi kampionatin argjentinas dhe u shndërrua në një idhull të vërtetë në vendin e tij.









