Marta Kos: Anëtarësimi jo i garantuar, duam vepra dhe jo fjalë!

Facebook
WhatsApp

Komisionerja për Zgjerimin kërkon institucione llogaridhënëse dhe luftë kundër korrupsionit, ndërsa legjitimon protestat paqësore si pjesë të demokracisë. Balla kërkon konsensus politik për reformat dhe ndryshimet në legjislacionin zgjedhor.

Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, i ka përcjellë një mesazh të fortë klasës politike shqiptare, duke paralajmëruar se përparimi në procesin e integrimit nuk përbën garanci për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Kos e vuri theksin te zbatimi konkret i reformave, duke bërë të qartë se vëmendja e vendeve anëtare do të përqendrohet te veprat dhe jo te deklaratat politike. Komisionerja evidentoi gjithashtu vështirësitë në ndërtimin e institucioneve llogaridhënëse dhe rezistencën që shoqëron ndryshime të tilla.

“Të gjithë e dimë që udhërrëfyesi nuk përbën asnjë garanci sa më pranë jemi pranë anëtarësimit, për shtetet tona anëtarë, do të jenë ndër testet më vendimtare, fokusi do jetë te zbatimi, pra veprat jo te fjalët. Ne e dimë se ndërtimi i institucionet llogaridhënëse është ndër sfidat më të vështira, ndryshime të tilla nuk ndodhur kurrë pa hasur në rezistencë po Shqipëria i ka të gjithë mundësitë.

Ka një avantazh, shqiptarët mbështesim anëtarësimin në BE, është më e larta në të gjithë vendet kandidatë, për të mbushur pritshmëritë e publikut. Është e rëndësishme mënyra si hartohen dhe miratohen këto ligj. Anëtarësimi në BE kërkon përgjegjësi politike nga të gjithë. Deputet kanë përgjegjësinë për të sjellë shqetësimet e zgjedhësve në debatin kombëtar”, u shpreh Kos.

Një tjetër mesazh i rëndësishëm i komisioneres europiane ishte ai për protestat dhe kërkesat e qytetarëve për luftën kundër korrupsionit. Kos theksoi se protestat paqësore janë pjesë e proceseve demokratike, ndërsa kërkesat për veprime kundër korrupsionit nuk përbëjnë pengesë për integrimin, por mund ta ndihmojnë vendin të ecë më shpejt drejt Bashkimit Europian.

Komisionerja bëri të qartë se Brukseli nuk bëhet pjesë e debatit të brendshëm politik, por ka përgjegjësinë të mbikëqyrë përmbushjen e standardeve nga Shqipëria.

“Një moment i tillë historik duhet të sjellë dialog, protestat e paqshme janë pjesë e proceseve demokratike. Nuk bëhemi pjesë e debatit të brendshëm. Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që të përmbushen standardet. Cështje të tjera kërkojnë dialog politik, qytetarët që kërkojnë veprim kundër korrupsionit mund ta ndihmojnë vendin. Ata ofrojnë mundësinë për të ecur përpara më shpejt. Janë shqetësime që merren seriozisht, kjo do e fuqishëm kredibilitetin e Shqipërisë”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, në të njëjtën tryezë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, bëri thirrje për konsensus mes mazhorancës dhe opozitës për reformat që lidhen me procesin e anëtarësimit, përfshirë edhe ndryshimet në legjislacionin zgjedhor.

Në hapje të mbledhjes, Balla e cilësoi komisioneren Kos një mike të Shqipërisë dhe mbështetëse të perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit, ndërsa iu referua një thënieje të ish-kancelarit gjerman Konrad Adenauer.

“E dashur Marta, ‘BE ishte ëndërr e disave, u bë shpresa e shumëkujt, sot është domosdoshmëri për të gjithë ne’, do të thoshte disa dekada më parë Konrad Adenauer. Prania juaj sot në këtë tryezë që bashkon përfaqësues të të gjitha forcave politike, institucionet e drejtësisë, sipërmarrjen, është dëshmi e rëndësisë së procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha Balla.

Në një kohë kur komisionerja europiane e vendosi theksin te zbatimi i reformave dhe përgjegjësia e institucioneve, Balla deklaroi se ekziston vullneti politik për të çuar përpara procesin, duke nënvizuar se integrimi nuk është një objektiv vetëm i qeverisë.

“Ky nuk është objektivi vetëm i qeverisë, por objektivi ynë mbarëkombëtar, që përshkon programet e forcave politike dhe angazhimin e institucioneve. Mund të kemi qasje të ndryshme mbi qeverisjen, por destinacioni ynë i përbashkët është Shqipëria në BE. Vullneti ynë politik është i plotë për të çuar përpara reformat, por pika jonë e referimit mbeten vlerat e Bashkimit Europian. Anëtarësimi në BE është një zgjedhje për modelin që duam të ndërtojmë këtu në vend”, u shpreh ai.

Balla u ndal posaçërisht te reforma zgjedhore, duke kërkuar që dallimet politike të mos bëhen pengesë për përmbushjen e objektivave të integrimit dhe që ndryshimet e ardhshme në legjislacionin zgjedhor të miratohen me konsensus.

“Në këtë fazë, konsensusi politik merr një rëndësi më të madhe se kurrë më parë. Legjislacioni ynë zgjedhor ekzistues është rrjedhojë e konsensusit tonë politik dhe besoj se edhe ndryshimet e ardhshme duhet të bëhen po me konsensus. Dallimet që na mbajnë larg njëri-tjetrit nuk duhet të bëhen pengesë në përmbushjen e objektivave kombëtare. Objektivi ynë është t’i kthejmë rekomandimet në rezultate legjislative dhe në ndryshime të prekshme për të gjithë qytetarët”, tha Balla.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, struktura më e lartë këshillimore kombëtare pranë Kuvendit për procesin e integrimit, zhvillohet në dy pjesë, e para nën drejtimin e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dhe e dyta nën drejtimin e deputetes demokrate, Jorida Tabaku.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick