Kryeministri komentoi raportet me Elisa Spiropalin pas përjashtimit të saj nga forumet e Partisë Socialiste…
Kryeministri Edi Rama ka komentuar përplasjen me Elisa Spiropalin dhe përjashtimin e saj nga forumet e Partisë Socialiste, duke deklaruar se ajo nuk ka më detyrimin të ndjekë qëndrimet e tij dhe të forcës politike që ai drejton.
Në një intervistë me gazetarin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Nazim Rashidi, në podcastin “Rishtazi”, Rama shmangu komentet e hollësishme për mosmarrëveshjet me Spiropalin, me argumentin se nuk diskuton çështjet e brendshme politike të Shqipërisë në mediat e vendeve të tjera.
“Nuk kam asnjë problem t’i ndjekin me të tjerët, por nuk flas për çështje të brendshme, sepse janë çështje të tjera. Plus pastaj, Elisa tani është njeri i lirë në jetën politike, nuk është më e detyruar të ndjekë mua dhe Partinë Socialiste”, deklaroi Rama.
I pyetur nëse deklaratat e Spiropalit dhe kundërshtitë ndaj qëndrimeve të tij mund të cenojnë besueshmërinë e masave që po ndërmerr qeveria, Rama argumentoi se kundërshtitë nuk mund të dëmtojnë të vërtetën për sa kohë atë e mbështesin faktet.
“Asnjë kundërshti nuk e dëmton të vërtetën për sa kohë e vërteta flet për veten e vet. Asnjë kundërshti nuk i dëmton faktet për sa kohë faktet pozicionohen ashtu siç duhet. Dhe çdo kundërshti që pastaj dëmton është një arsye për të kuptuar se ku qëndron problemi me ne. Por, për sa u përket kundërshtive që janë rreth e rrotull, janë si ato erërat që vetëm e forcojnë pemën”, përfundoi Rama.









