Reforma zgjedhore\ PD: Lista të hapura, burg për patronazhimin!

Facebook
WhatsApp

Demokratët kërkojnë që Shqipëria të mos ndahet më në 12 zona zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, por të funksionojë si një zonë e vetme, ku partitë konkurrojnë për të 140 mandatet e Kuvendit. Sipas kësaj formule, votat që një parti merr në Kukës, Tiranë, Korçë apo Vlorë do të hyjnë në të njëjtën përllogaritje kombëtare për ndarjen e mandateve.

Nga përzgjedhja e deputetëve te përdorimi i administratës, databazave dhe parave publike për zgjedhje; çfarë parashikojnë ndryshimet që demokratët kanë depozituar në Kuvend…

Partia Demokratike ka depozituar paketën e propozimeve për reformën zgjedhore, e cila prek 39 amendamente në Kodin Zgjedhor dhe 20 në Kodin Penal, ndërkohë që mandati i Komisionit të Posaçëm Parlamentar përfundon më 30 nëntor.

Nëpërmjet një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar zgjatjen e mandatit të komisionit për reformën zgjedhore me 2-3 muaj, duke argumentuar se Komisioni nuk ka trajtuar ende një pjesë të konsiderueshme të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

Kërkesa vjen ndërkohë që ekspertët e Komisionit të Venecias kanë mbërritur në Tiranë për të dhënë asistencë mbi ligjin për financimin e partive politike.

Nga ana tjetër, socialistët kanë kundërshtuar kërkesën për shtyrjen e mandatit të Komisionit, ndërsa kërkojnë që reforma të reflektojë edhe ndryshimet për zgjedhjen e këshillave bashkiakë pas hartës së re territoriale.

Për momentin, palët nuk kanë arritur dakordësi mbi çështjet themelore të reformës.

overlay-clevercloseLogo
Me paketën e depozituar, PD ka vendosur në diskutim tri çështje të dallueshme: formulën e përkthimit të votave në mandate parlamentare, kufizimin e përdorimit elektoral të shtetit dhe përgjegjësinë penale të personave që organizojnë, financojnë apo ekzekutojnë krimet zgjedhore.

Afati i 30 nëntorit e vendos Kuvendin përpara vendimit nëse do t’i japë Komisionit kohën për shqyrtimin e këtyre propozimeve. Depozitimi i tyre nuk ndryshon ende as sistemin zgjedhor dhe as Kodin Penal. Për këtë nevojitet miratimi i ndryshimeve nga Kuvendi.

Por çfarë kërkon konkretisht Partia Demokratike të ndryshojë në mënyrën se si shqiptarët zgjedhin parlamentin, si organizohen partitë në zgjedhje dhe si organet e drejtësisë ndëshkojnë krimet elektorale?

Një zonë zgjedhore për të gjithë Shqipërinë

Ndryshimi themelor që propozon PD-ja është kalimi nga sistemi proporcional rajonal në sistemin proporcional kombëtar.

Demokratët kërkojnë që Shqipëria të mos ndahet më në 12 zona zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, por të funksionojë si një zonë e vetme, ku partitë konkurrojnë për të 140 mandatet e Kuvendit.

Sipas kësaj formule, votat që një parti merr në Kukës, Tiranë, Korçë apo Vlorë do të hyjnë në të njëjtën përllogaritje kombëtare për ndarjen e mandateve.

Në sistemin aktual rajonal, rezultati i një partie në një qark nuk kompenson drejtpërdrejt votat që asaj i mungojnë për të marrë një mandat në një qark tjetër.

Me propozimin e PD-së, përllogaritja e mandateve do të bëhej mbi rezultatin kombëtar, sipas formulës që do të përcaktonte Kodi Zgjedhor.

Kjo ndryshon edhe mënyrën se si partitë ndërtojnë listat e kandidatëve, pasi konkurrenca për mandatet parlamentare nuk do të zhvillohej më brenda kufijve të qarqeve.

Listat e hapura, qytetari zgjedh deri në pesë kandidatë

PD propozon që partitë politike t’i rendisin kandidatët për deputetë sipas rendit alfabetik të mbiemrit dhe t’ia nënshtrojnë listën votimit parapëlqyes.

Zgjedhësi do të kishte mundësinë të shprehte parapëlqimin për deri në pesë kandidatë.

Në këtë mënyrë, renditja fillestare e kandidatëve nuk do të pasqyronte hierarkinë që kryesia apo kryetari i partisë u cakton atyre në listë.

Votat parapëlqyese do të merrnin rëndësi në përcaktimin e kandidatëve që fitojnë mandatet e siguruara nga subjekti politik.

Megjithatë, mënyra e përllogaritjes së mandateve individuale dhe ndërveprimi me kriteret e përfaqësimit gjinor kërkojnë shqyrtimin e dispozitave të plota të Kodit Zgjedhor.

Rikthimi i koalicioneve zgjedhore

Një tjetër ndryshim që kërkojnë demokratët është rikthimi i koalicioneve, ku partitë pjesëmarrëse paraqesin listat e tyre të kandidatëve.

Sipas propozimit, qytetari që voton një koalicion mund të shprehë parapëlqimin për pesë kandidatë nga lista e njërës prej partive që përbëjnë atë koalicion.

Pra, zgjedhësi nuk do të mund t’i shpërndante pesë votat parapëlqyese ndërmjet kandidatëve të partive të ndryshme brenda të njëjtit koalicion.

Formula u krijon partive pjesëmarrëse mundësinë të ruajnë identitetin e tyre në konkurrimin zgjedhor, ndërkohë që garojnë brenda një aleance politike.

Ndarja e shtetit nga partia

Një pjesë të konsiderueshme të amendamenteve në Kodin Zgjedhor dhe në Kodin Penal, demokratët ia kanë kushtuar përdorimit të administratës dhe burimeve shtetërore për qëllime elektorale.

Në Kodin Zgjedhor, PD propozon që gjatë periudhës së mbrojtur zgjedhore të ndalojë pjesëmarrjen aktive politike të administratës shtetërore, kur ajo synon përfitimin apo diskriminimin zgjedhor.

Demokratët kërkojnë të ndalojnë edhe organizimin e punonjësve të administratës si audiencë, sfond apo demonstrim mbështetjeje në aktivitetet zyrtare dhe elektorale.

Por propozimi nuk ndalet te ndalimet administrative. Nëpërmjet ndryshimeve në Kodin Penal, PD kërkon të vendosë përgjegjësi individuale për funksionarët që organizojnë dhe imponojnë këto veprimtari.

Deri në 7 vjet burg për organizatorët e patronazhimit

Në nenin e ri 328/c të Kodit Penal, demokratët propozojnë të përcaktojnë si vepër penale organizimin e patronazhimit politik-administrativ.

Dënimi për personat që organizojnë, drejtojnë apo bashkërendojnë skema patronazhimi duke përdorur funksionin, autoritetin ose burimet publike, varion nga dy deri në pesë vjet burg.

Projektligji përfshin rastet kur organizatorët kushtëzojnë punësimin, rinovimin e kontratës, ngritjen në detyrë, dhënien e një shërbimi apo përshpejtimin e një procedure administrative me mbështetjen politike të qytetarit.

Dënimi shkon nga tre deri në shtatë vjet burg kur personat veprojnë në mënyrë sistematike, bashkërendojnë disa institucione, përdorin të dhëna shtetërore jopublike apo kërcënojnë vendin e punës dhe interesat e qytetarëve ose familjarëve të tyre.

Një detaj me rëndësi është se dispozita nuk kufizohet te punonjësit e administratës.

Edhe një drejtues partie, që nuk ushtron funksion publik, mund të mbajë përgjegjësi penale nëse organizon skemën me dijeni për përdorimin e burimeve shtetërore dhe qëllimin e saj të paligjshëm.

Nga ana tjetër, drafti nuk penalizon kontaktin vullnetar me zgjedhësit dhe organizimin e ligjshëm partiak.

Burg për drejtorët që u caktojnë vartësve kuota votash

Në nenin 328/a, PD ka renditur një sërë veprimesh që propozon t’i ndëshkojë penalisht kur funksionarët publikë i kryejnë për qëllime të paligjshme politike apo zgjedhore.

Një drejtor institucioni që u kërkon vartësve të identifikojnë zgjedhës, të regjistrojnë bindjet e tyre politike, të plotësojnë lista me emra apo kuota elektorale, rrezikon nga dy deri në pesë vjet burg, kur plotëson elementet e veprës penale.

Projektligji përfshin edhe detyrimin e punonjësve për të publikuar, pëlqyer, komentuar apo shpërndarë përmbajtje politike në rrjetet sociale.

Nëse një funksionar përdor autoritetin publik për t’u kërkuar punonjësve prova të aktivitetit të tyre politik, duke ushtruar presion ndaj tyre, dënimi varion nga një deri në tre vjet burg.

Në rrethana rënduese, përfshirë shfrytëzimin e varësisë hierarkike nga drejtuesit publikë, dënimi shkon deri në shtatë vjet.

Drafti përjashton nga përgjegjësia penale shprehjen individuale të bindjeve politike nga punonjësit e administratës, përfshirë ndërveprimin individual në rrjetet sociale.

Kontrollet tatimore dhe inspektoratet si instrument presioni

PD propozon të dënojë me dy deri në pesë vjet burg funksionarët që përdorin kontrollet, inspektimet, gjobat apo hetimet administrative për të ndëshkuar ose shpërblyer një qytetar për sjelljen e tij politike.

Përgjegjësi penale mund të mbajë edhe funksionari që shtyn apo nuk ushtron një kontroll në mënyrë selektive, për të ndikuar mbi sjelljen politike të personit.

Projektligji përfshin edhe presionin ndaj punonjësve të sektorit privat nëpërmjet punëdhënësit, kur funksionari publik përdor ose kërcënon se do të përdorë kompetencat shtetërore ndaj biznesit.

Pra, prokuroria duhet të provojë jo vetëm veprimin administrativ, por edhe lidhjen e tij me qëllimin e paligjshëm politik apo zgjedhor.

Databazat e patronazhistëve, deri në 5 vjet burg

Në nenin 328/ç, PD propozon të penalizojë krijimin, administrimin dhe përdorimin e databazave për profilizimin e paligjshëm politik të zgjedhësve.

Bëhet fjalë për mbledhjen dhe përpunimin sistematik të të dhënave personale për të identifikuar bindjet e supozuara politike të qytetarëve, varësitë e tyre apo pjesëmarrjen në votime, me qëllim ushtrimin e presionit, kontrollit ose diskriminimit.

Dënimi varion nga gjashtë muaj deri në tre vjet burg. Kur personat përdorin aksesin që kanë për shkak të detyrës në regjistrat shtetërorë, veprojnë në bashkëpunim me ndarje detyrash apo përpunojnë të dhëna në shkallë të gjerë, dënimi shkon deri në pesë vjet burg.

Po me databazat që ekzistojnë aktualisht, çfarë do të ndodhë? Projektligji parashikon përgjegjësi penale edhe për personat që vazhdojnë të mirëmbajnë, transferojnë apo rikrijojnë databaza të tilla për qëllimet e ndaluara, por vetëm për veprimet që kryejnë pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Pagesat elektorale nga buxheti, përgjegjësi edhe për përfituesit

Në nenin 328/d, demokratët propozojnë nga dy deri në pesë vjet burg për personat që urdhërojnë, autorizojnë apo ekzekutojnë me dashje pagesa publike që Kodi Zgjedhor i ndalon shprehimisht.

Përgjegjësia penale shtrihet edhe te nëpunësit e thesarit dhe personat që kanë detyrë konkrete në kontrollin apo ekzekutimin e pagesës.

Por drafti përfshin edhe përfituesit. Një individ apo përfaqësues kompanie që kërkon, pranon ose merr me dashje një pagesë të ndaluar, duke pasur dijeni për ndalimin ligjor, rrezikon nga një deri në tre vjet burg.

Kur personat veprojnë sipas një plani të përbashkët, e përsërisin veprën apo përdorin dokumente të falsifikuara, dënimi shkon deri në shtatë vjet burg.

Kjo dispozitë nuk nënkupton ndërprerjen e pagesave të zakonshme të shtetit gjatë fushatës. Ajo prek vetëm pagesat për të cilat legjislacioni zgjedhor përcakton një ndalim konkret.

As kreditimi automatik i llogarisë bankare të një qytetari, pa dijeninë e tij për paligjshmërinë e pagesës, nuk krijon vetvetiu përgjegjësi penale.

Nënkomisioneri i KQZ-së, mandat 7-vjeçar dhe propozim nga opozita

Për monitorimin e zbatimit të ndalimeve që lidhen me përdorimin e burimeve shtetërore, PD propozon të ngarkojë Nënkomisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Demokratët kërkojnë që Kuvendi ta zgjedhë nënkomisionerin për një mandat shtatëvjeçar, nga katër vjet që është aktualisht, me të drejtë ripërtëritjeje.

Kandidatët do t’i propozonte partia më e madhe e opozitës parlamentare, ndërsa Kuvendi do ta zgjidhte nënkomisionerin me jo më pak se 84 vota.

Formula i jep opozitës të drejtën e propozimit, por jo të drejtën e zgjedhjes së njëanshme të nënkomisionerit, pasi për emërimin e tij nevojiten tri të pestat e votave të të gjithë deputetëve.

Shitblerja e votës, dënim edhe për organizatorët dhe financuesit

PD propozon ndryshime në nenin 328 të Kodit Penal, duke përfshirë shprehimisht edhe premtimin e parave, të mirave materiale, vendeve të punës apo favoreve të tjera për qëllime korruptive zgjedhore.

Për personat që organizojnë, drejtojnë apo financojnë blerjen e votave sipas një plani të përbashkët ndaj dy ose më shumë zgjedhësve, demokratët propozojnë nga tre deri në shtatë vjet burg.

Projektligji parashikon gjithashtu nga një deri në pesë vjet burg për qarkullimin e paligjshëm të fletëve të votimit nëpërmjet mekanizmit që njihet si votimi karusel.

Për organizatorët e kësaj skeme dhe administratorët zgjedhorë që e mundësojnë me dashje duke përdorur funksionin, dënimi shkon deri në shtatë vjet.

Burg për ata që kërkojnë fotografinë e votës

PD propozon nga një deri në katër vjet burg për personat që kërkojnë, marrin apo kontrollojnë pa të drejtë fotografinë ose filmimin e votës së një qytetari, me qëllim verifikimin e mënyrës se si ka votuar apo përmbushjen e një marrëveshjeje korruptive.

Projektligji përfshin edhe kontrollin e pjesëmarrjes në votime. Nëse një person kërkon prova se një qytetar ka marrë ose jo pjesë në zgjedhje, nëpërmjet kanosjes apo kushtëzimit të punësimit, shërbimit ose përfitimit, rrezikon nga gjashtë muaj deri në tre vjet burg.

Votimi për familjarët dhe manipulimi i votave parapëlqyese

Demokratët propozojnë nga një deri në tre vjet burg për personat që plotësojnë apo hedhin fletën e votimit në vend të një zgjedhësi tjetër, jashtë rasteve kur ligji lejon asistencën.

Të njëjtin dënim rrezikon personi që gjatë asistimit të një zgjedhësi shënon me dashje një alternativë të ndryshme nga ajo që ka kërkuar qytetari.

Nëse komisioneri lejon me dashje një veprim të tillë, dënimi shkon deri në pesë vjet burg. PD përfshin shprehimisht në dispozitën për falsifikimin e rezultatit edhe manipulimin e votave parapëlqyese të kandidatëve.

Për manipulimin e qëllimshëm të fletëve të votimit, procesverbaleve, tabelave apo sistemeve elektronike të rezultatit, dënimi varion nga një deri në pesë vjet burg. Kur administratorët zgjedhorë kryejnë veprën apo manipulimi sjell pasoja të rënda, dënimi shkon deri në shtatë vjet.

Mbrojtja e votës së diasporës

PD propozon të zgjerojë dispozitat për pengimin e zgjedhësit, duke përfshirë edhe votimin postar nga jashtë vendit.

Në këtë kategori hyjnë mbajtja, fshehja, asgjësimi apo mosdorëzimi me dashje dhe pa të drejtë i paketës zgjedhore ose zarfit të kthimit, me qëllim pengimin e zgjedhësit për të votuar brenda afatit ligjor. Projektligji përjashton nga përgjegjësia penale vonesat objektive të shërbimit postar dhe gabimet pa dashje.

Sabotimi i zgjedhjeve dhe fshehja e materialeve

Në disa nene të njëpasnjëshme, PD propozon të përcaktojë si vepra penale të posaçme sabotimin e procesit zgjedhor, nxitjen e konflikteve me dhunë ose kanosje, moszbatimin e vendimeve të organeve zgjedhore dhe fshehjen e materialeve të votimit.

Projektligji parashikon deri në shtatë vjet burg për disa prej këtyre veprave, kur ato sjellin pasoja të rënda apo pavlefshmërinë e zgjedhjeve.

Demokratët propozojnë të ndëshkojnë penalisht edhe komisionerët që refuzojnë me dashje të dokumentojnë kundërshtimet apo fshehin ankimet, me qëllim mbulimin e një krimi zgjedhor.

Gjithashtu, drafti parashikon dënime për hyrjen me dhunë në mjediset zgjedhore, përdorimin e akreditimeve të falsifikuara dhe qëndrimin e paligjshëm në qendrat e votimit ose numërimit me qëllim pengimin e procesit.

Përgjegjësi penale për drejtuesit e KQZ-së dhe operatorët teknikë

Në nenin 330/e, PD propozon përgjegjësi penale për personat që nuk instalojnë, testojnë, mirëmbajnë apo raportojnë defektet e pajisjeve zgjedhore, në shkelje të detyrave konkrete dhe kur shkaktojnë pasojat që përcakton dispozita.

Këtu përfshihen pajisjet e identifikimit elektronik, sistemet e votimit dhe numërimit elektronik, kamerat e monitorimit dhe sistemet e ruajtjes së të dhënave.

Përgjegjësi mund të mbajnë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, nënkomisioneri, anëtarët e organeve të KQZ-së, komisionerët, operatorët teknikë dhe personat e kontraktuar.

Për shkeljet me dashje, dënimi shkon deri në tre vjet burg, ndërsa kur personat shkaktojnë pamundësinë e verifikimit të rezultatit apo pavlefshmërinë e zgjedhjeve, dënimi shkon deri në pesë vjet.

Në këtë dispozitë, PD propozon përgjegjësi penale edhe për pakujdesinë. Në varësi të pasojave, dënimi mund të shkojë deri në dy vjet burg.

Megjithatë, funksioni drejtues nuk krijon vetvetiu përgjegjësi penale. Prokuroria duhet të provojë detyrimin konkret, fajin dhe lidhjen shkakësore ndërmjet veprimit apo mosveprimit dhe pasojës.

Deri në 5 vjet burg për moskallëzimin e krimeve zgjedhore

PD propozon që funksionarët e administratës zgjedhore, të cilët marrin dijeni për fakte që tregojnë kryerjen e një krimi zgjedhor dhe nuk i kallëzojnë me dashje, të dënohen nga gjashtë muaj deri në tre vjet burg, kur ligji ua ngarkon këtë detyrim.

Nëse moskallëzimi synon favorizimin e një partie, kandidati apo autori të veprës penale, dënimi shkon deri në pesë vjet.

Sipas draftit, funksionarët nuk mund ta kushtëzojnë kallëzimin me përfundimin e hetimit administrativ, shpalljen e rezultatit apo marrjen e një vendimi kolegjial, përveç rasteve kur ligji përcakton shprehimisht ndryshe.

Detyrimi vlen edhe për faktet që dalin gjatë këqyrjes së mëvonshme të fletëve të votimit, verifikimit të identifikimeve të shumëfishta dhe kontrollit të pajisjeve elektronike.

Donatorët fiktivë dhe financimi i fshehtë i fushatave

Në nenin e ri 332/b, PD propozon nga një deri në tre vjet burg për personat që përdorin donatorë fiktivë, transaksione të simuluara, llogari të fshehta apo dokumente të rreme për të fshehur financimin zgjedhor.

Dispozita përfshin edhe marrjen e financimeve nga burime që ligji i ndalon, kur personat përdorin mekanizma mashtrues për të fshehur origjinën e parave.

Kur personat organizojnë skemën sipas një plani të përbashkët apo e përsërisin veprën, dënimi shkon deri në pesë vjet burg.

Lehtësim dënimi për personat që zbulojnë organizatorët

PD propozon që personat e përfshirë në krime zgjedhore të përfitojnë ulje apo përjashtim nga dënimi nëse bashkëpunojnë me drejtësinë.

Një person me rol dytësor, që jep informacione thelbësore për zbulimin e veprës apo të autorëve, mund të përfitojë edhe përjashtim të plotë nga dënimi, me vendim të arsyetuar të gjykatës.

Por nga përjashtimi i plotë nuk mund të përfitojnë organizatorët, drejtuesit, financuesit dhe personat që kanë përdorur dhunë apo kanosje.

A prekin ndryshimet krimet e zgjedhjeve të 11 majit?

Në nenin 20 të projektligjit, demokratët përcaktojnë se dispozitat që krijojnë vepra të reja penale apo rëndojnë dënimet nuk kanë fuqi prapavepruese.

Për krimet që personat kanë kryer përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve, organet e drejtësisë do të zbatojnë rregullat e Kodit Penal për zbatimin e ligjit në kohë, përfshirë ligjin penal më të favorshëm.

Pra, dispozitat e reja nuk mund të shërbejnë për të rënduar përgjegjësinë penale për veprimet që personat kanë kryer gjatë zgjedhjeve të mëparshme. Kjo nuk pengon hetimin e atyre veprimeve sipas dispozitave penale që kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes së tyre.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick