Artistja del me një reagim të fortë, duke mohuar mosdeklarimin e të ardhurave dhe duke thënë se çdo provë do ta paraqesë në organet e drejtësisë: Emri im nuk është material për klikime.
Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka reaguar pas raportimeve se do të përballet në gjykatë për akuzat që lidhen me fshehjen e të ardhurave dhe shmangien e detyrimeve tatimore në vlerë mbi 6 milionë lekë.
Pas publikimeve në media, këngëtarja ka kundërshtuar akuzat dhe mënyrën e paraqitjes së çështjes, duke theksuar se pretendimet e ngritura ndaj saj nuk përbëjnë një vendim gjykate dhe se fajësia mund të përcaktohet vetëm pas një procesi të rregullt ligjor.
Në reagimin e saj publik, Myrtezaj është shprehur se figurën e saj e ka ndërtuar ndër vite përmes punës dhe korrektësisë, ndërsa ka kundërshtuar çdo përpjekje për ta paraqitur si fakt të provuar një akuzë që sipas saj është ende në proces shqyrtimi.
“Figurën time publike e kam ndërtuar për më shumë se një dekadë me punë, sakrifica dhe korrektesë ndaj publikut, shtetit dhe ligjit. Karrierën time e kam ndërtuar me punën artistike dhe me respekt për publikun. Nuk do të lejoj kurrë që figura ime të njolloset nga tituj mediatikë të paverifikuar dhe të pavërtetë. Akuzat që ngrihen nuk janë vendime gjykate. Kërkesa e Prokurorisë për deklarime të pasakta përmban pretendimin e njërës palë. Unë prezumohem e pafajshme derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, sipas nenit 30 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Titujt që e paraqesin evazionin si fakt të provuar e shkelin këtë parim.”
Duke iu referuar të ardhurave të saj, këngëtarja ka deklaruar se ato janë të regjistruara në sistemin tatimor dhe ka mohuar çdo mosdeklarim financiar.
“Të ardhurat e mia janë faturuar në sistemin e shtetit shqiptar. Nuk ka mosdeklarim të të ardhurave. Nuk mund të fshihet ajo që ndodhet në sistemin e vetë administratës sonë tatimore.”
Myrtezaj ka kundërshtuar gjithashtu raportimet që lidhen me pretendime për pasuri të krijuara nga burime të pajustifikuara, duke deklaruar se këto pretendime nuk përputhen me realitetin.
“Akuzat që ngrihen nuk kanë të bëjnë me pasuri të krijuara prej meje. Shkrimet për ‘fshehje pasurie’ apo për ‘blerje pronash me burime të pajustifikuara’ janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë realitetin. Kam bashkëpunuar plotësisht me organet tatimore dhe me organet e drejtësisë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë, duke u vënë në dispozicion çdo dokument që kërkojnë për zbardhjen e së vërtetës.”
Në fund të reagimit të saj, këngëtarja ka folur për pasojat që, sipas saj, kanë pasur publikimet mbi figurën e saj publike dhe jetën private, duke kërkuar kujdes në raportimin e çështjes.
“Çdo titull i pavërtetë dhe çdo foto e imja e përdorur për të ilustruar një akuzë të paprovuar më shkakton dëm moral, profesional dhe familjar. Emri im nuk është material për klikime. Jeta ime, puna ime dhe familja ime preken drejtpërdrejt nga këto publikime të pasakta. U kërkoj mediave dhe portaleve të mos përdorin emrin dhe figurën time në tituj që nuk pasqyrojnë të vërtetën.”
Myrtezaj ka bërë të ditur se nuk do të japë më komente publike për këtë çështje dhe se qëndrimin e saj do ta paraqesë përpara organeve të drejtësisë.
“Nuk do të bëj më komente publike. Përgjigjen time do t’ua jap organeve të drejtësisë, ku do të paraqes provat se çdo e ardhur e imja është e ligjshme dhe e deklaruar sipas ligjit.”









