I pyetur nëse do të ketë një vendimmarrje nga Partia Demokratike në lidhje me marrëdhënien që duhet të mbajë me parlamentin, ai u shpreh se të gjitha qëndrimet e tjera janë në tryezë përveç bojkotit dhe se vendim për tu larguar nga parlamenti nuk do të ketë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ish zëvëndësen e tij Belinda Balluku se kanë tentuar të përfitojnë miliona euro me projektin e Aeroportit të Vlorës.
Në një konferencë për gazetarët, Berisha e cilësoi ndërtimin e aeroportit si një projekt që dëmton rëndë ekosistemin e zonës së Vjosë-Nartës dhe theksoi se pas tij fshihet një aferë prej 130 milionë eurosh.
“Aeroporti i Vlorës nuk duhej të ndërtohej kurrë aty, se aeroporti i Vlorës shkatërron përfundimisht habitatin e zogjve, e flamingove dhe zogjve të tjerë të asaj zone.
Prandaj edhe ne e spostuam, do e ndërtonim tek kthesa e Levanit.
I njëjti grup që na tha ne se nuk mund të ndërtohet aty për shkak të flamingove dhe zonës, i njëjti grup i tha edhe Edi Ramës në vitin 2017.
Jo, i thanë, nuk ndërtohet këtu.
Këta e ndërtuan. Ku mund të pengoheshin ata para 130 milionë vjedhje së bashku. Prandaj dhe ajo e merr çdo javë dhe i thotë 60 përqind je ti në dosjet e mia. Absolutisht!
Dhe ky sillet si Konstandini me Dhoqinën, keni parë, nuk keni parë, shkon një i vdekur me të gjallë. E thotë populli. Nuk e lëshon Dhoqina këtë. Harrojeni.
Jo, nuk e lëshon. Të dy do shkojnë bashkë aty ku e meritojnë”, u shpreh Berisha.
Sali Berisha është shprehur se PD nuk e bojkoton Kuvendin. I pyetur nëse do të ketë një vendimmarrje nga Partia Demokratike në lidhje me marrëdhënien që duhet të mbajë me parlamentin, ai u shpreh se të gjitha qëndrimet e tjera janë në tryezë përveç bojkotit dhe se vendim për tu larguar nga parlamenti nuk do të ketë.
“PD, siç e thatë ju bukur, e ka të përjashtuar me statut bojkotin. E ka të përjashtuar. Natyrisht, të gjitha qëndrimet e tjera janë në tryezë përveç bojkotit. Bojkot ne nuk bëjmë, ne jemi të përcaktuar. Në qoftë se nuk shkojmë në një seancë, nuk marrim pjesë në dy seanca, këto nuk janë bojkote, janë krejt tjetër. Por ne vendim për t’u larguar nga parlamenti nuk marrim,” tha Berisha.









