I dyshuari për vrasjen e një 29-vjeçari në fshatin Pogragjë të Gjilanit vazhdon të jetë në kërkim të policisë, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi të dielën në mbrëmje.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri armë: një pushkë gjuetie, një pushkë e tipit M48 dhe një pistoletë pa kapak, si dhe 68 fishekë dhe katër gëzhoja.
Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Policia ka bërë të ditur se viktima, mashkull kosovar, ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, Gjilani u trondit edhe nga një tjetër rast i rëndë të premten, kur një person dyshohet se vrau bashkëshorten dhe vëllain e saj, si dhe plagosi djalin e xhaxhit të gruas. I dyshuari për këtë ngjarje është dërguar në paraburgim.









