Duke reaguar ndaj vendimit mbi IIkballe Hudutin, Berisha tha se me Ahmadinejad është takuar edhe vetë Rama, si dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Kryedemokrati theksoi se për këto takime ka pasur informacione nga shërbimet sekrete të disa vendeve partnere.
Kryetari i Partisë Demokratike kritikoi vendimin e qeverisë shqiptare për të shpallur të padëshiruar një protestuese nga Kosova, Ikballe Huduti, duke e etiketuar si mbështetëse të Iranit. Para vendimit, Kryeministri Rama postoi në llogarinë e tij në Facebook një foto të Hudutit me ish-presidentin e Iranit, Mahmoud Ahmadinejad.
Berisha tha se me Ahmadinejad është takuar edhe vetë Rama, si dhe Erion Veliaj. Ai komentoi edhe sulmet ndaj Dritan Goxhajt, i cili lexoi në protestë kërkesat kryesore ndaj qeverisë.
“Shpall non-grata një zonjë sepse kishte një foto me Ahmedinaxhadin. Po më lejoni t’u tregoj një gjë o qytetarë. Kam qenë kryeministër në pushtet kur shërbimet e huaja më informojnë se Edi Rama ka shkuar në Teheran dhe është takuar me Ahmedinaxhadin. Dhe se Erion Veliaj e ka bërë atë rrugë disa herë. Dhe natyrisht nga hetimet e organeve kompetente doli se të paktën në një rast, Rama kishte shkuar në Internacionalen Socialiste të mbledhur në Iran nga Ahmedinaxhadi. Pra, çfarë do të thotë kjo? Shpall një zonjë non-grata sepse siç e shpjegoi ka marrë një medalje si lexuese e Kuranit në një konferencë fetare. Rasti tjetër, është apo nuk ka qenë luftëtar i UÇK. Është i tillë apo i atillë. Arritën në shkallë ekstreme të përbaltin një nga heronjtë më të lavdishëm të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar në fund të shekullit të 20, Tahir Sinanin.
Nxorën, rrëmuan si hiena të policisë sekrete të dikurshme fatura, dokumente pa asnjë interpretim, për të përbaltur luftën, për të përbaltur UÇK-në, për fajin e vetëm se në këtë protestë midis flamujve del edhe flamuri i UÇK, etj. Pra, njeriu që nga një anë përpiqet t’i luftojë me mjetet e tjera duke stampuar në bluzën e vet flamengot apo duke i vendosur në Facebook-un e tij, dhe i them nuk ke të drejtë morale ta bësh këtë, tregon amoralitet me këtë. Ti mund të stamposh në bluzën tënde Lubi Ballukun, dy Lindat, Gys Agasin, Engjëll Agaçin, Arubën. Mund të stamposësh drogën, kokainën, por kurrë flamengot. Herë tjetër i vendos ata në foton kryesore të FB, duke besuar se kështu po bëhet më miqësor me ta. Edi Rama, për ta mbyllur, thirrja ime është jep dorëheqjen menjëherë se ti je armiku më i egër i të rinjve shqiptarë. Je arrogant, je cinik, ti i urren ata dhe kërkon që ata të largohen nga Shqipëria. Ndaj dhe jep menjëherë dorëheqjen sepse po soset durimi i tyre,” tha Berisha.
Kryedemokrati ka komentuar ditën e sotme edhe thirrjet e qytetarëve gjatë protestës të cilët brohorasin ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’. Berisha i ka quajtur këto thirrje ‘slogane dhe klithma mjerane të opozitës së opozitës’ dhe ka shtuar se ato ‘nuk janë britma që dalin nga idealet e shqiptarëve, por nga grupe të vogla të atyre që janë kundërshtarë të egër të PD-së’.
“Demokratët të gjithë janë në protestë, qindra mijëra qytetarë. Unë mendoj se ka qenë vendimi më i drejtë që ata kanë marrë: nuk kanë shkuar me simbole partie, por si qytetarë.
Për sa u përket sloganeve, ka disa momente që nuk kanë asnjë lidhje me idealet rinore dhe qytetare. Janë slogane dhe klithma mjerane të opozitës së opozitës, e cila, duke e krahasuar Ramën me Berishën, duke krahasuar dy të pakrahasueshëm, kërkon të zbusë pozicionin e Ramës dhe gjithashtu të nxisë një qorrsokak për leverdi të saj politike.
Këto janë të gjitha dufet dhe mllefet e atyre që hyjnë në politikë si shërbëtorë të qeverisë dhe mendojnë se mund të spostojnë opozitën vigane, e cila kaloi një kalvar të papërsëritshëm në Evropë dhe u provua si opozita e vërtetë dhe e fuqishme e këtij vendi.
Mos u impresiononi nga ato klithma. Ato nuk janë britma që dalin nga idealet e shqiptarëve, por nga grupe të vogla të atyre që janë kundërshtarë të egër të opozitës shqiptare”, u shpreh Berisha.









