Berisha sulmon Dumanin: Mbrojtës i qeveritarëve të korruptuar!

Facebook
WhatsApp

Kreu i PD akuzon ish-drejtuesin e SPAK për moshetim të krimit zgjedhor dhe fshehje të emrave të zyrtarëve në dosjen e takimit të Arubës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar sulmet ndaj ish-drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar për mosveprim ndaj krimit zgjedhor dhe për fshehje të emrave të zyrtarëve të lartë që, sipas tij, rezultojnë të përfshirë në dosjen e njohur si “takimi i Arubës”.

Në një deklaratë për mediat para ambienteve të SPAK, Berisha e cilësoi Dumanin si “monstra e votës së lirë të shqiptarëve”, duke pretenduar se institucioni që ai drejtonte ka dështuar të hetojë manipulimet zgjedhore. Sipas liderit demokrat, nga 48 dosje të lidhura me krimin zgjedhor të shqyrtuara nga SPAK, vetëm një ka përfunduar me penalizim.

Berisha tha se pretendimet e opozitës për parregullsi në zgjedhje janë mbështetur edhe nga raportet dhe qëndrimet e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ai deklaroi se ajo që e quajti “farsë elektorale” është evidentuar nga misioni i vëzhgimit i OSBE/ODIHR, përfaqësues të Këshillit të Evropës, deputetë të Parlamentit Evropian dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës së Berishës iu kushtua edhe çështjes së takimit të zhvilluar në Aruba, të cilin ai e konsideroi si një nga skandalet më të rënda që lidhin politikën me grupet kriminale. Sipas tij, autoritetet spanjolle kanë përcjellë një dosje të plotë mbi këtë çështje, por SPAK ka bërë publike vetëm emrat e biznesmenëve të përfshirë, duke mos identifikuar zyrtarët shtetërorë që pretendohet se kanë marrë pjesë në takim.

“Kush ishin qeveritarët që udhëtuan drejt Arubës dhe zhvilluan takime me persona të lidhur me kartelet e drogës?”, ngriti pyetjen Berisha, duke akuzuar Dumanin për mbrojtje të figurave të larta të pushtetit.

Kreu i opozitës pretendoi gjithashtu se në dosje përmendet një person i identifikuar si “Rama i gjatë”, ndërsa kërkoi transparencë të plotë për identitetin e personave të përfshirë. Ai paralajmëroi se, sipas tij, çdo përpjekje për të fshehur emrat e zyrtarëve do ta bëjë ish-kreun e SPAK përgjegjës politikisht dhe moralisht për mbulimin e skandalit.

Deri tani nuk ka pasur reagim nga Altin Dumani lidhur me këto akuza.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick