Deklarata e Ramës, Berisha: Ai ka një urrejtje pa kufij për shqiptarët

Facebook
WhatsApp

Kreu i demokratëve e cilësoi sjelljen e Ramës si të papërshtatshme dhe pretendoi se ajo ka shkaktuar reagime negative edhe te të pranishmit gjatë intervistës. Ai gjithashtu e akuzoi kryeministrin për qasje autoritare ndaj vendit dhe qytetarëve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj intervistës së kryeministrit Edi Rama për gazetën britanike “Financial Times”, duke e akuzuar këtë të fundit për përdorimin e një gjuhe të papranueshme ndaj shqiptarëve në një media prestigjioze ndërkombëtare.

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha tha se dënon deklaratat e Ramës, të cilat sipas tij përbëjnë fyerje ndaj qytetarëve shqiptarë dhe nuk i shkojnë për shtat figurës së një kryeministri.

“Dënoj me forcën më të madhe sharjet e pakualifikueshme që Edi Rama u bën shqiptarëve në mediat më të mëdha ndërkombëtare. U garantoj se as Gadafi, as Sadami, as Maduro nuk i kanë lejuar vetes gjuhën që Edi Rama ka përdorur në Financial Times ndaj shqiptarëve.

Ky ka dëshmuar urrejtjen e pakufishme që ka ndaj qytetarëve shqiptarë. Sharja e tij ishte shokuese për gazetaren dhe audiencën e pranishme. Edi Rama nuk sillet si padrino, shumë më keq se padrino i Shqipërisë.

Edi Rama konsideron Shqipërinë një sulltanat të kohërave të shkuara, në të cilin vetë ai bën sulltanin, gjykatësin, policin dhe çdo funksion tjetër. Edi Rama duhet të largohet një minutë e më parë.

Edhe prapa diellit të shkojë, shkon si një hajdut i pashoq i kombit të tij. Shkon si njeriu që ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Evropë. Shkoi si një tradhtari i një kombi që bëri gjithçka, kreu gjenocid të kalkuluar ndaj tij për t’i përzënë shqiptarët nga Shqipëria, një armik i egër i shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në botë”, tha Berisha.

Po sot kreu i Partisë Demokratike, duke folur për projektin “Smart City”, tha se kamerat po administrohen tani nga narkopolicia për survejimin e rreptë të qytetarëve. Duke folur në konferencë me gazetarët, Berisha ngriti shqetësime se projekti i “Smart City” po devijon nga funksioni i shërbimeve qytetare si menaxhimi i trafikut, transportit dhe parkimit, drejt një sistemi të centralizuar monitorimi dhe kontrolli nga policia, që sipas tij përfshin kamera, radarë dhe analiza në kohë reale me inteligjencë artificiale.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po rikthen survejimin e qytetarëve, duke e krahasuar me periudhën e diktaturës komuniste. Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha publikoi pamje e kamerave të sigurisë, ndërkohë shtoi se projekti “Smart City” është përdorur për kontroll të qytetarëve nga Policia e Shtetit, jo vetëm për shërbime publike. Sipas tij, kamera të tilla janë vendosur në të katër anët e Tiranës dhe që të gjitha jo në disponim të bashkisë dhe Policisë së Shtetit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick