Policia greke goditi në Selanik një rrjet të dyshuar trafiku Shqipëri-Greqi-Turqi, duke sekuestruar mbi 324 kg kanabis, arrestuar dy persona dhe shpallur një tjetër në kërkim.
Një sasi prej më shumë se 324 kilogramësh kanabis është sekuestruar në Selanik, gjatë një operacioni që ka çuar në goditjen e një organizate kriminale transnacionale, e dyshuar për trafik droge në itinerarin Shqipëri-Greqi-Turqi.
Operacioni u zhvillua mëngjesin e së premtes, 14 gusht, nga strukturat policore greke të specializuara në luftën kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.
Në pranga përfunduan dy shtetas të huaj, të moshës 58 dhe 43 vjeç. Një person i tretë është identifikuar nga autoritetet si pjesëtar i dyshuar i organizatës dhe është shpallur në kërkim.
Hetimet kanë hedhur dritë edhe mbi mënyrën se si dyshohet se realizohej trafikimi. Grupi përdorte kamionë të transportit ndërkombëtar, ndërsa kanabisi fshihej në hapësira të modifikuara posaçërisht brenda ngarkesave me materiale letre për riciklim.
Gjatë operacionit, policia kontrolloi një zonë të mbyllur në Selanik, ku gjeti tetë paleta me materiale për riciklim. Katër prej tyre ndodheshin brenda një gjysmërimorkioje, ndërsa pjesa tjetër ishte vendosur pranë saj.
Brenda vendeve të krijuara për fshehje u zbuluan pako me kanabis të papërpunuar, me një peshë totale prej 324 kilogramësh e 474 gramësh.
Drogë me kamion nga Shqipëria drejt Turqisë, kapen 324 kg
Sipas autoriteteve greke, organizata dyshohet se funksiononte me role të mirëpërcaktuara. Personi që vijon të jetë në kërkim dyshohet se kishte rol koordinues në Greqi, duke siguruar ambientet për magazinimin e përkohshëm të drogës, organizuar fshehjen e saj dhe koordinuar shoferët që do ta transportonin drejt Turqisë.
58-vjeçari dyshohet se merrej me transportimin, fshehjen dhe dërgimin e drogës, ndërsa 43-vjeçari dyshohet se merrte kanabisin nga Shqipëria dhe kujdesej për fshehjen e tij mes ngarkesave me materiale për riciklim.
Policia sekuestroi gjithashtu një gjysmërimorkio, dy automjete private, dy telefona celularë, një targë të huaj automjeti, 11 valixhe bosh dhe 1,165 euro.
Sipas përllogaritjeve të autoriteteve, nga trafikimi i kësaj sasie droge organizata pritej të siguronte mbi 700 mijë euro të ardhura të paligjshme.
Dy të arrestuarit janë dërguar pranë organit kompetent të akuzës, ndërsa hetimet vijojnë për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm, përfshirë persona që mund të kenë vepruar në Shqipëri dhe Turqi.









