Një 75-vjeçareje humbi jetën në kryeqyet pasi u përplas nga një motor, ndërsa në periferi të Korçës humbi jetën 60-vjeçari Refat Agolli nga fshati Bulgarec. Viktima po shkonte në qytet për të shitur qumështin.
Një aksident me pasojë vdekjen e një 75-vjeçareje ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Rrugën e Dibrës, në Tiranë.
Mësohet se një 20-vjeçar, me inicialet E. M., teksa drejtonte një motomjet, ka aksidentuar këmbësoren Sh. M., 75 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.
Sipas Policisë, aksidenti është regjistruar rreth orës 19:35. Menjëherë pas përplasjes, e moshuara u transportua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 75-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë rreth orës 22:40.
Nga aksidenti mbeti i dëmtuar edhe drejtuesi 20-vjeçar i motomjetit, i cili ndodhet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 20 vjeç, pasi më datë 03.10.2026, rreth orës 19:35, në Rrugën e Dibrës, me motomjetin që drejtonte, ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen Sh. M., 75 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë rreth orës 22:40, në spital.
Gjithashtu, është dëmtuar dhe drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. M., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Ndërkohë një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar mëngjesin e sotëm pranë fshatit Çiflig, në hyrje të qytetit të Korçës. Nga aksidenti humbi jetën 60-vjeçari Refat Agolli nga fshati Bulgarec.
Bëhet me dije se, mëngjesin e sotëm, ashtu siç bënte zakonisht, 60-vjeçari ishte nisur me biçikletë nga fshati i tij drejt qytetit të Korçës për të çuar qumështin që prodhonte dhe për ta shitur.
Nga aksidenti mbeti i plagosur rëndë edhe punonjësi i policisë, i cili është transportuar në Spitalin Rajonal të Korçës dhe raportohet se ndodhet në reanimacion.
Rruga ku ndodhi aksidenti përdoret çdo ditë nga banorë të fshatrave Bulgarec, Çiflig dhe Lumalas, të cilët udhëtojnë drejt Korçës për të shitur qumështin dhe produkte të tjera bujqësore, duke siguruar të ardhura për familjet e tyre.
Sipas banorëve, lëvizja me biçikleta dhe mjete të tjera të lehta përgjatë këtij aksi është e zakonshme, ndërsa ndër vite janë regjistruar edhe aksidente ku janë përfshirë banorë të zonës.
Ndërkohë, autoritetet po hetojnë rrethanat dhe dinamikën e plotë të aksidentit.









