Në vitin 2013, Elvis Metvelaj përmendeh në kuadër të një hetimi të gjerë për trafik ndërkombëtar droge në Kalabri. Sipas raportimeve të mediave italiane të kohës, ai ishte pjesë e listës së personave të dyshuar në një grup prej rreth 20 anëtarësh që hetohej për trafikun e narkotikëve.
42 vjeçari Elvis Metvelaj do të qëndrojë në paraburgim në Itali, pasi Gjykata e Barit ka konfirmuar arrestimin e tij në lidhje me vdekjen e partneres së tij, 46-vjeçares Ornella Forastefano. Gruaja u gjet e plagosur rëndë në orët e para të 16 gushtit, pranë spitalit të Trebisacces, në Kalabri, dhe ndërroi jetë pak më vonë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.
Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00. Forastefano u dërgua para hyrjes së spitalit me plagë të rënda dhe trauma në pjesë të ndryshme të trupit. Ajo u fut menjëherë në urgjencë, por dëmtimet rezultuan fatale.
Pas vdekjes së saj, dyshimet e karabinierëve u përqendruan te partneri shqiptar, i cili ishte larguar nga zona. Hetuesit nisën të gjurmonin lëvizjet e tij, ndërsa Metvelaj ishte nisur drejt Barit. Ai u arrestua në qytetin port, teksa dyshohet se po përpiqej të hipte në një traget me destinacion Shqipërinë, vetëm disa orë pas ngjarjes.
Metvelaj i mohon akuzat ndaj tij. Megjithatë, gjykata ka vendosur masën e paraburgimit, ndërsa dosja i është kaluar Prokurorisë së Castrovillarit, e cila ka juridiksion mbi hetimin.
Sipas RAI-t, 42-vjeçari ishte i njohur më herët për autoritetet italiane për precedentë penalë të lidhur me drogën. Mediat italiane raportojnë se Metvelaj dhe Forastefano kishin bashkëjetuar prej rreth një viti.
Ornella Forastefano drejtonte një bar në qendër të Trebisacces së bashku me dy djemtë e saj. Sipas raportimeve të mediave italiane, ajo ishte motra e Domenico Forastefanos, i konsideruar si një prej figurave historike të klanit ‘Ndrangheta në zonën e Sibaritides.
Edhe babai i saj, Antonio Forastefano, ishte vrarë në vitin 1999, teksa po dilte nga biznesi i tij në Marina di Sibari.
Megjithatë, Prokuroria e Castrovillarit ka bërë të ditur se deri në këtë fazë të hetimit nuk ka elemente që e lidhin vrasjen me historinë kriminale të familjes. Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat dhe, deri tani, asnjë prej tyre nuk është përjashtuar.
Metvelaj, i përfshirë edhe në një hetim të vjetër droge
Emri i Elvis Metvelajt ishte shfaqur edhe më herët në dosjet e drejtësisë italiane. Në vitin 2013, ai u përmend në kuadër të një hetimi të gjerë për trafik ndërkombëtar droge në Kalabri.
Sipas raportimeve të mediave italiane të kohës, Metvelaj ishte pjesë e listës së personave të dyshuar në një grup prej rreth 20 anëtarësh që hetohej për trafikun e narkotikëve. Në atë periudhë, ai ishte 24 vjeç, banonte në Trebisacce dhe njihej me pseudonimin “Majmuni”.
Në të njëjtën dosje ishte përfshirë edhe këngëtarja shqiptare Liljana Kondakçi, e cila u dënua në Itali me 2 vjet e 8 muaj burg për transport droge. Sipas raportimeve të asaj kohe, ajo njihej me nofkën “Mamaja”, ndërsa autoritetet dyshonin se grupi drejtohej nga Fisnik Smajlaj. Kondakçi i mohoi akuzat.
Më shumë se 13 vjet pas atij hetimi, emri i Elvis Metvelajt është rikthyer në qendër të vëmendjes së autoriteteve italiane. Këtë herë, ai ndodhet nën akuzën për vrasjen e partneres së tij, Ornella Forastefanos, ndërsa hetimi për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijon.









