Kryeministri përmendi ndërtimet e reja, blerjen e drejtpërdrejtë të apartamenteve në treg, përshtatjen e objekteve shtetërore dhe të pronave të konfiskuara, bonusin e qirasë dhe partneritetin publik-privat.
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një reformë të re për strehimin, e cila ka marrë formën e një drafti ligjor dhe pritet të kalojë fillimisht në konsultim publik dhe më pas në Parlament.
Sipas Ramës, reforma përmban gjashtë programe të reja, ndërsa i pari do të jetë programi i banesave sociale me qira. Rama përmendi ndërtimet e reja, blerjen e drejtpërdrejtë të apartamenteve në treg, përshtatjen e objekteve shtetërore dhe të pronave të konfiskuara, bonusin e qirasë dhe partneritetin publik-privat.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se qeveria do të konfiskojë objektet që shkelin rregullat e lejeve të ndërtimit dhe se këto prona mund të përdoren në programin e strehimit social.
“Janë pjekur kushtet pas një pune instensive 1 vjeçare për të bërë publike piketat kryesore të programit të ri kombëtar të strehimit. Nuk është një program i ri kombëtar thjesht dhe vetëm financiar, por është një program i ri kombëtar si mishërim i një reforme strukturore shumë të thellë e cila tanimë ka marrë formën e draftit ligjor.
Së shpejti do të kalojë në konsultim publik dhe pastaj në parlament, për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë e më të mprehtë për shkak të vështirësive që hasin familjet e reja dhe të rinjtë në rrugën e marrjes së një shtëpie.
Kjo nuk është një temë e nxehtë vetëm në Shqipëri, nuk është një problem vetëm lokal por një problem i madh europian dhe ka ndryshuar tërësisht optikën e njerëzve lidhur me vendin e tyre në këtë vend. Rilindja 2.0 është ngritur në një nivel tjetër dhe strehimin e ka aspektin e vet thelbësor. Janë 6 programe të reja të cilat ne do t’i adresojmë të gjitha sëbashku në një reformë tërësore.
Programi i parë është ai i banesave sociale me qera. Është një skemë e mirënjohur e përdorur në vite por të cilën ne do ta qasim në një mënyrë të re. Dhënia e banesave sociale me qera do të jetë një program që do të bëhet më kompleks jo vetëm ‘prit të ndërtohet e pastaj të kësh shansin të marrësh një banesë’ ku nuk dihet si përfundon seleksioni.
Këto banesa do të parashikojnë ndërtim të ri, blerje të drejtpërdrejtë nga tregu, përshtatje të objekteve shtetërore ose të konfiskuara. Kemi konfiskuar jo pak dhe do të konfiskojmë çdo objekt që do të shkelë rregullat e lejes së ndërtimit. Patjetër dhe bonusin e qerasë dhe partneritetin publik privat, pra do të përdorim të gjitha instrumentat për të garantuar një ofertë të gjerë për ata që duhet dhe do të mund të marrin banesë sociale me qera” tha Rama.
Ndërkohë Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se sot do të shpallen bashkitë fituese të programit për përmirësimin e kushteve të banesave për familjet në nevojë. Sipas saj, qeveria do të alokojë 700 milionë lekë, ndërsa nga skema pritet të përfitojnë 663 familje në të gjithë vendin.
Ibrahimaj bëri të ditur se për të përfituar nga programi kanë aplikuar gjithsej 33 bashki, nga të cilat 26 do të shpallen fituese.
Fondet e parashikuara do të përdoren për ndërhyrje që synojnë përmirësimin e kushteve të banimit për 663 familje që i përkasin kategorive në nevojë, në kuadër të programit të strehimit.
Ministrja u ndal gjithashtu te politikat e strehimit, duke theksuar se realiteti aktual ka ndryshuar krahasuar me vitin 2018 dhe, për këtë arsye, nevojitet një qasje e re. “Nga viti 2018, situata ka ndryshuar dhe realiteti është tjetër e na bën të mendojmë për një politikë të re për strehimin”, tha ministrja.









