Gates thekson se Inteligjenca Artificiale ka një potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar njerëzit më të varfër në botë, me kusht që teknologjia të përdoret siç duhet dhe qasja në të të jetë e barabartë.
Bill Gates ka paralajmëruar se asnjë qeveri në botë nuk është realisht e përgatitur për ndryshimet e mëdha që Inteligjenca Artificiale pritet të sjellë në shoqëri.
Në një intervistë për Reuters, bashkëthemeluesi i Microsoft ngriti shqetësime për pasojat që zhvillimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale mund të ketë në tregun e punës, rreziqet nga sulmet e mundshme, si dhe varësinë që mund të krijohet nga “shoqëruesit” digjitalë të bazuar në AI.
“Nuk mendoj se ndonjë qeveri po merret me këtë në nivelin që duhet”, deklaroi Gates.
Ai theksoi se qeveritë kanë mbetur pas ritmit me të cilin po zhvillohet teknologjia dhe se nevojitet më shumë bashkëpunim për t’u përballur me rreziqet që mund të shfaqen.
“Qeveritë kanë mbetur shumë prapa në këtë çështje”, tha ai.
Gates bëri të ditur se shqetësimet e tij i ka diskutuar edhe me udhëheqës shtetesh, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe ekipin e tij, ndërsa synon të takohet edhe me presidentin kinez Xi Jinping gjatë këtij viti.
Megjithatë, Gates nënvizoi se Inteligjenca Artificiale ka një potencial të jashtëzakonshëm për të ndihmuar njerëzit më të varfër në botë, me kusht që teknologjia të përdoret siç duhet dhe qasja në të të jetë e barabartë.
Fondacioni Gates ka njoftuar se planifikon të investojë të paktën 1 miliard dollarë gjatë dy viteve të ardhshme për zgjerimin e aksesit në Inteligjencën Artificiale. Fondet do të drejtohen te partnerë që veprojnë në fusha si arsimi, shëndetësia dhe bujqësia.
Potenciali i madh në shëndetësi
Një nga fushat ku Gates sheh mundësi të mëdha për përdorimin e Inteligjencës Artificiale është shëndetësia. Sipas tij, teknologjia mund të përdoret që nga mbështetja e punonjësve të vijës së parë të kujdesit shëndetësor deri te zbulimi i barnave dhe vaksinave të reja.
“Në fushën e shëndetësisë është e vështirë të ekzagjerosh përmasat e potencialit”, tha Gates.
Programi prej 1 miliard dollarësh është pjesë e planit më të gjerë të Fondacionit Gates, i cili ka njoftuar se do të shpenzojë rreth 9 miliardë dollarë në vit.
Synimi është gjithashtu krijimi i bazave të nevojshme të të dhënave mbi të cilat mbështetet Inteligjenca Artificiale, përfshirë përpjekjet që modelet e mëdha gjuhësore të mund të funksionojnë në të gjitha gjuhët që fliten në botë.
Gates përdori edhe një krahasim të pazakontë për të përshkruar sfidën që AI paraqet për qeveritë.
“Ka lloj-lloj filmash ku vijnë disa alienë dhe, si me magji, SHBA-ja, Kina dhe të gjithë të tjerët bashkohen për të zgjidhur problemin”, tha ai. “Inteligjenca Artificiale është, në njëfarë mënyre, si kjo inteligjencë aliene. Ajo është këtu dhe do të ishte më mirë të bënim atë që shohim se bëjnë në këta filma.”
Çështja Epstein dhe reputacioni i Gates
Në intervistë, Gates foli edhe për marrëdhënien e tij të mëparshme me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale dhe tashmë i ndjerë.
Në qershor, Gates dëshmoi përpara Kongresit lidhur me këtë çështje. Ai nuk akuzohet për ndonjë vepër penale dhe ka deklaruar vazhdimisht se është penduar për marrëdhënien me Epstein, nga i cili kishte shpresuar të siguronte donacione për nisma në fushën e shëndetit global.
Gates ka pretenduar se Epstein u përpoq ta shantazhonte duke përdorur informacione për marrëdhënie jashtëmartesore.
Çështja bëri që Fondacioni Gates të kërkonte një hetim të jashtëm. Sipas materialit, hetimi nuk konstatoi pagesa ndaj Epstein dhe as përfshirje në aktivitete kriminale.
Gates tha se nuk sheh një ndikim të rëndësishëm të kësaj çështjeje në reputacionin e tij apo të fondacionit.
“Për sa i përket aksesit tim te udhëheqësit e qeverive apo, e dini, gatishmërisë së gazetarëve për të më intervistuar, nuk shoh asnjë rënie”, deklaroi ai, duke shtuar se interesi për punën e fondacionit nuk është zvogëluar “as edhe sadopak”.









