Asllan Gjana doli jashtë vijave të fushës gjatë lojës dhe u përplas me pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit. Të miturit iu dha menjëherë ndihma e parë nga mjeku, por pak më vonë ndërroi jetë në spital.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kavala të Greqisë, ku një futbollist shqiptar vetëm 16 vjeç ka humbur jetën tragjikisht pas një dëmtimi të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje.
Asllan Gjana doli jashtë vijave të fushës gjatë lojës dhe u përplas me pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit. Të miturit iu dha menjëherë ndihma e parë nga mjeku, por për shkak të gjendjes së rëndë u vendos transportimi i tij me urgjencë drejt spitalit.
16-vjeçari u dërgua në Spitalin e Kavalës, ku u shtrua në repartin e kujdesit intensiv. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, ai nuk mundi t’u mbijetonte dëmtimeve të marra.
Humbja e të riut ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, shokët e skuadrës dhe komuniteti sportiv në Kavala.
Pas lajmit tragjik reagoi edhe klubi Byronas Kavala, i cili i dha lamtumirën futbollistit të tij me një mesazh prekës.
“Me dhimbje të padurueshme dhe trishtim të papërshkrueshëm, familja atletike e Byron Kavalës i jep lamtumirën njërit prej fëmijëve të saj. Byroni i Kavalës është në zi, ka humbur një nga fëmijët e tij. Udhëtim të mbarë, djali ynë, ti do të jetosh përgjithmonë në zemrat tona”, thuhet në reagimin e klubit.









