Këshilli Ndërfetar reagon për protestën studentore, apel për dialog

Facebook
WhatsApp

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestën studentore, duke bërë thirrje për paqe, drejtësi, përgjegjësi institucionale dhe dialog kombëtar. Në deklaratën e tij, Këshilli thekson se shqetësimet e qytetarëve dhe studentëve meritojnë të dëgjohen me seriozitet, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë të japin përgjigje konkrete, transparente dhe në përputhje me ligjin.

“Paqja nuk nënkupton heshtje përballë padrejtësisë, drejtësia nuk mund të ndërtohet përmes dhunës dhe autoriteti nuk mund të ushtrohet pa përgjegjësi”, thuhet në deklaratë.

Si përfaqësues të komuniteteve fetare zyrtare në Shqipëri, Këshilli nënvizon se traditat fetare bashkohen në mbrojtjen e jetës, dinjitetit njerëzor, mëshirës, drejtësisë dhe respektit për tjetrin, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve të ndryshme.

Në reagim, Këshilli rikujton se e drejta për të protestuar paqësisht është një vlerë themelore demokratike, ndërsa dhuna, shkatërrimi i pronës dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve nuk mund të justifikohen nga asnjë pakënaqësi apo qëllim.

Deklarata ndalet edhe te pasojat e veprimeve të dhunshme, duke theksuar se dëmtimi i një biznesi familjar prek drejtpërdrejt jetesën e një familjeje, cenimi i një institucioni arsimor prek të drejtën për dije dhe siguri, ndërsa mosrespektimi i një përfaqësie diplomatike dhe i simboleve të saj cenon parimet e respektit të ndërsjellë dhe të bashkëjetesës ndërkombëtare.

“Vendi ka nevojë për më pak akuza dhe më shumë dëgjim, për më pak përplasje dhe më shumë përgjegjësi, për më pak ndarje dhe më shumë dialog”, thekson Këshilli Ndërfetar, duke u bërë thirrje palëve që të mos e shohin njëra-tjetrën si armike, por si pjesë të së njëjtës shoqëri, me të drejta dhe përgjegjësi të përbashkëta.

Në përfundim, Këshilli u bën apel të gjitha palëve që të zgjedhin dialogun përballë konfliktit dhe përgjegjësinë përballë përshkallëzimit. Sipas tij, qytetarët duhet të dëgjohen, institucionet të përgjigjen, drejtësia të garantohet dhe ligji të respektohet.
Këshilli Ndërfetar thekson se e ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet mbi frikën, shkatërrimin dhe përçarjen, por mbi dinjitetin, besimin e ndërsjellë dhe vullnetin për të gjetur zgjidhje paqësore, duke vendosur të mirën e përbashkët, sigurinë e qytetarëve dhe paqen shoqërore mbi çdo interes të ngushtë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick