Kodi i ri Penal: Ja krimet për të cilat nuk do të ketë më pranga!

Facebook
WhatsApp

Në mënyrë të detajuar janë 16 vepra penale me kundravajtje kundër pronës, 11 për kundravajtje për taksa dhe falsifikime, 10 kundër zgjedhjeve, 10 kundër lirisë, moralit dhe fëmijëve dhe 10 kundër mjedisit.

Në draftin e propozuar nga qeveria për Kodi ne Ri Penal, një ndryshim i rëndësishëm është kufizimi i aplikimit të masës së sigurisë “arrest me burg” për një numër të konsiderueshëm veprash penale.

Sipas propozimit, për veprat penale me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më masa e sigurisë “arrest me burg” gjatë fazës së hetimit.

Më konkretisht janë 164 vepra penale në total, të cilat do të përballen me masa më të buta sigurie, për shkak të dënimit që parashikon vepra konkrete penale.

Në mënyrë të detajuar janë 16 vepra penale me kundravajtje kundër pronës, 11 për kundravajtje për taksa dhe falsifikime, 10 kundër zgjedhjeve, 10 kundër lirisë, moralit dhe fëmijëve dhe 10 kundër mjedisit.

Për këto vepra penale, si masë sigurie do të përdoren masat alternative “arresti në shtëpi”, “detyrim paraqitje”,” garancia pasurore” dhe “ndalimi për të dalë jashtë shtetit”.

Po ashtu përjashtohen nga paraburgimi gratë shtatzëna dhe me fëmijë nën moshën 6-vjeçare si dhe baballarët që janë kujdestarë të vetëm të fëmijës.

Ndryshimet e propozuara nga qeveria, prekin edhe mënyrën e zhvillimit të hetimeve, të drejtat e personave nën hetim dhe të pandehurve, kontrollet dhe sekuestrimet, aksesin në telefonat celularë, masat e sigurimit, por edhe publikimin nga media të materialeve që lidhen me procedimet penale.

Së pari, drafti i ri fokusohet tek masat e arrestit me burg, duke ndryshuar kriteret mbi të cilat do të mund të caktohet kjo masë sigurie.

Ndaj personave nën akuzë për vepra penale që parashikojnë dënim deri maksimumi 5 vite heqje lirie nuk do të vendoset “arrest me burg”, me disa raste përjashtuese si mosrespektimi i masave të tjera më të lehta. Të gjitha kundravajtjet penale përjashtohen nga “arresti në burg”.

Edhe në rastet kur vetë gjykata mendon se dënimi nuk do t’i kalojë 3 vite apo do të konvertohet në shërbim prove në rastin konkret, i dyshuari nuk mund të lihet në paraburgim.

Po ashtu, nuk do të vendoset në masë arresti me burg asnjë grua shtatzënë apo nëna që kanë fëmijë deri në 6 vjeç. Masa nuk do të vendoset as ndaj babait të një fëmijë 6 vjeç kur nëna ka vdekur, me përjashtim të krimeve të rënda.

Edhe të moshuarit mbi 70 vjeç, të sëmurët apo personat nën varësi të drogës kanë mbrojtje të veçantë.

Sa i përket të gjitha masave shtrënguese, domethënë arrestin në shtëpi, detyrimin për t’u paraqitur, ndalimin jashtë vendit apo garancia pasurore si rregull nuk do të lejohen për të gjitha veprat penale që parashikojnë dënim maksimal deri në 3 vite burg.

Drafti thekson se gjykata duhet të japë vendim të argumentuar për çdo masë sigurie të marrë, vlerësim të pavarur nga pretendimet e prokurorit.

Po ashtu, nuk do të jetë më 2 muaj afati që detyron prokurorin të raportojë para gjykatës për ecurinë e hetimeve dhe nevojën e vazhdimit të masës së sigurisë, por përgjysmohet në një muaj.

Garancia pasurore, si një prej masave shtrënguese, do të kërkohet në varësi të mundësive ekonomike të të akuzuarit.

Një ndryshim i rëndësishëm është edhe sanksionimi në ligj se prokurori i çështjes është i detyruar që të kërkojë të vërtetën dhe jo vetëm provat që dënojnë të dyshuarin. Prokurori do të kërkojë edhe provat që e shfajësojnë atë, dhe do t’ia vendosë në dispozicion. Avokati mbrojtës nga ana tjetër do të ketë të drejtën të hetojë veçmas, të marrë deklarime, të kërkojë dokumente, të kryejë verifikime teknike dhe të angazhojë ekspertë. Këto materiale i paraqiten gjyqtarit njëlloj të vlefshme me ato të prokurorisë.

Personi nën hetim apo i pandehuri do të kenë akses të pakushtëzuar te provat, dhe si rregull prokuroria ka detyrimin t’ia vendosë në dispozicion.

Rregulla më të forta, favorizuese për të dyshuarin, përcaktohen edhe për procesin e marrjes në pyetje, në polici apo prokurori. Avokati do të jetë i domosdoshëm dhe deklarimet e marra vetëm si person në dijeni nuk mund të përdoren kundër tij. Të gjitha marrjet në pyetje do të regjistrohen me pamje dhe audio.

Prokurorit apo OPGJ-së nuk i lejohet t’i ushtrojë presion personit që merr në pyetje, ndryshe deklarimet do të cilësohen si të papërdorshme.

Jeta private, korrespondenca sidomos telefonike, do të mbrohet në mënyrë të posaçme. Organet hetuese do të ndalohen të marrin të dhëna jashtë objektit të hetimit, vetëm pas vendimit të gjykatës. Do të jetë gjykata që do të përcaktojë pajisjen, kategoritë e të dhënave, aplikacionet, periudhën dhe kriteret e kërkimit. Çdo informacion që merret jashtë këtyre rregullave është i papërdorshëm. Edhe në përgjime do të ndiqet e njëjta logjikë. Duhet të transkriptohen vetëm komunikimet që lidhen me hetimin, përfshirë ato që janë në favor të personit.

Edhe marrja e mostrave biologjike dhe ruajtja e profileve gjenetike rregullohen për herë të parë në mënyrë të plotë, me pëlqim të informuar ose vendim gjykate, me praninë e mbrojtësit dhe me asgjësim të detyrueshëm pas pafajësisë së formës së prerë.

Ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale normojnë edhe rregulla të qartë se si regjistrohet çështja penale. Për të shmangur hetimet e zgjatura pafundësisht në kohë, procedimi duhet të regjistrohet në ditën kur prokurori merr dijeni për veprën, jo kur e çmon ai të përshtatshme

Në gjyq do të shkojnë çështjet që kanë një perspektivë reale. Kriteri i sotëm i “provave të mjaftueshme” zëvendësohet me standardin e pritshmërisë së arsyeshme për dënim. Prokurori duhet të peshojë provat e akuzës dhe të mbrojtjes dhe të tregojë pse çështja ka gjasa reale të përfundojë me dënim.

Prezumimi i pafajësisë merr peshë më të madhe. Prokurori, oficeri, avokati apo profesionisti që ka detyrimin ta ruajë sekretin hetimor, duke nxjerrë të dhëna, do të mbajë përgjegjësi. Në lidhje me prezumimin e pafajsisë organet hetimore detyrohen që të kenë kujdes të veccantë me gjuhën që përdorin në dokumentet zyrtare.

Ndryshime të tjera mes 105 neneve kanë të bëjnë me mbrojtjen e viktimës. Për dhunën në familje parashikohet largim i dhunuesit menjëherë nga familja, të cilës nëse ka vështirësi financiare gjykata mund t’i caktojë një pagesë.

Një ndryshim i rëndësishëm është ai i publicitetit të seancave gjyqësore. Me kërkesën e të pandehurit dhe të viktimës dhe me autorizimin e gjykatës, seanca mund të transmetohet drejtpërdrejt, duke mbrojtur të drejtat e të tretëve dhe të viktimave.

Kufizimet për mediat
Në draft, parashikohet edhe një sërë kufizimesh për mediat. Sipas projektligjit, ndalohet shpërndarja apo publikimi, edhe pjesërisht, i akteve të procedimit penal që mbrohen nga sekreti hetimor, si dhe i përmbajtjes së tyre.

Ndalimi përfshin publikimin përmes shtypit, televizioneve, faqeve zyrtare të institucioneve, rrjeteve sociale apo çdo forme tjetër komunikimi.

Për kërkesat për informacion nga palët e treta, organi procedues duhet të vlerësojë interesin për informim përballë nevojës për ruajtjen e fshehtësisë së hetimit. Në rast refuzimi parashikohet e drejta e ankimit brenda 10 ditëve në gjykatë. Projektligji përcakton se në këto raste ankimi do të bëhet vetëm në rrugë gjyqësore dhe jo pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

Projektligji shkon më tej, duke vendosur kufizime edhe për disa akte të hetimit paraprak që nuk mbrohen më nga sekreti hetimor.

Në rastin kur procedimi pushohet, publikimi mund të ndalohet deri në një vit pas vendimit të pushimit, sipas vlerësimit të prokurorit ose gjyqtarit të seancës paraprake. Në rastet e tjera, ndalimi parashikohet deri në fillimin e seancës së parë të shqyrtimit gjyqësor të themelit.

Personat e përfshirë mund të paraqesin publikisht versionin e tyre për ngjarjen, por pa publikuar përmbajtjen e akteve të dosjes.

Një tjetër ndryshim me ndikim të drejtpërdrejtë në raportimin mediatik është ndalimi i publikimit të vendimeve gjyqësore për masat e sigurimit, për aq kohë sa ekzistojnë kushtet e përcaktuara në nenin e ri.

Kjo do të prekë dokumente që sot përbëjnë shpesh bazën e raportimit për çështje penale me interes të lartë publik.

Prokuroria, nga ana tjetër, mund të komunikojë informacion për publikun kur kjo konsiderohet rreptësisht e nevojshme për hetimin ose për interesin publik, por pa shpërndarë aktet procedurale apo përmbajtjen e tyre.

Projektligji vendos një rregull të posaçëm për përgjimet telefonike.

“Publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i përmbajtjes së përgjimeve telefonike është gjithmonë i ndaluar”, përcakton drafti.

Përjashtim bëhet vetëm për pjesën e transkriptimit që citohet në arsyetimin e një vendimi ose që përdoret gjatë gjykimit.

Parashikohen gjithashtu kufizime për publikimin e akteve të gjykimeve me dyer të mbyllura, identitetit dhe të dhënave që bëjnë të identifikueshme viktimat, si dhe pamjeve të personave të privuar nga liria kur janë nën masa shtrëngimi fizik. Kur publikimi lejohet, dokumentet duhet të anonimizohen dhe redaktohen.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick