Kongresmenia amerikane Alexandria Ocasio-Cortez ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë dhe raportimet për dhunën e ushtruar nga forcat e rendit ndaj protestuesve, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të respektojë të drejtat themelore të qytetarëve.
Përmes një deklarate, Ocasio-Cortez bëri të ditur se gjatë javës së fundit ka marrë mesazhe nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë shprehur shqetësimin për sigurinë e familjarëve të tyre në Shqipëri.
Ajo u ndal te mënyra se si po trajtohen protestuesit, duke kërkuar ndalimin e asaj që e cilësoi si represion të dhunshëm dhe garantimin e lirisë së shprehjes.
“I bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të ndalë represionin e dhunshëm ndaj protestuesve, si dhe të respektojë lirinë e shprehjes së shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e saj.
Reagimi i kongresmenes amerikane vjen në një moment kur protestat e studentëve në kryeqytet kanë sjellë në qendër të debatit publik veprimet e Policisë së Shtetit dhe respektimin e të drejtës për protestë paqësore.
Shqetësimi i shprehur nga pjesëtarët e diasporës shqiptare, sipas Ocasio-Cortez, lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e familjarëve të tyre dhe zhvillimet e fundit në vend.
Deklarata e saj i shtohet reagimeve për situatën e krijuar në Shqipëri, ndërsa protestuesit vijojnë të kërkojnë përgjegjësi politike dhe ndryshime lidhur me zhvillimet që kanë nxitur daljen e tyre në rrugë.









