Kryemadhi ironi me Hysenin: Meta s’i fiku radarët për mua…

Facebook
WhatsApp

“Për një rrahje zemre i fikte radarët, imagjino për një anije apo nëndetëse”, tha Kryemadhi, duke iu referuar komunikimeve të bëra publike nga dosja hetimore.

Ish-deputetja Monika Kryemadhi, pas daljes nga Gjykata e Posaçme, ku u paraqit gjatë ditës së sotme, komentoi edhe hetimet e SPAK ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.

Kryemadhi deklaroi se Hyseni kishte vendosur strukturat e SHISH në funksion të përndjekjes së kundërshtarëve politikë të kryeministrit Edi Rama, por edhe të kundërshtarëve të Ergys Agasit, i arrestuar më herët në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.

Duke iu referuar mesazheve mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, të cilat janë pjesë e materialeve të dosjes së SPAK, ish-deputetja ironizoi rolin që pretendon se ka pasur ish-drejtoresha e SHISH.

“Për një rrahje zemre i fikte radarët, imagjino për një anije apo nëndetëse”, tha Kryemadhi, duke iu referuar komunikimeve të bëra publike nga dosja hetimore.

Kryemadhi bëri gjithashtu një paralelizëm mes situatës së ish-bashkëshortit të saj, Ilir Meta dhe asaj të Vlorës Hyseni. Ajo pretendoi se Meta po mbahet në qeli pa prova, ndërsa Hyseni, për të cilën ajo pretendon se është e përfshirë në një organizatë kriminale, po hetohet në gjendje të lirë.

“Unë kam qenë një personazh i politikës që kam qenë kundër bojkotit, por edhe e detyruar nga rrethanat në të cilat bashkëpunon apo solidarizohesh, je e detyruar që ta vazhdosh. Nëse ju kujtohet, djegia e mandateve, që erdhi si një propozim nga PD dhe ne si opozitë e ndoqëm të gjithë nga pas. Pavarësisht se ajo kishte pastaj pasojat fatale që ka sjellë që SHISH fik radarët për krimin e organizuar. Për një rrahje zemre i fik radarët, mendo për ndonjë anije apo nëndetëse se çfarë mund të bëhet.

Kot nuk them unë karma is a bitch. Ju e patë si ishte bërë si pikëpyetje Ilir Proda, sepse i pëlqeu shumë atëherë, sepse qeshte dhe vuri edhe video për të parë si do të bënte arrestimin e Metës. Apo Vlora Hyseni që ka bërë gjithë Shërbimin Informativ në funksion të përndjekjes të të gjithë njerëzve që ishin kundërshtarë politikë jo vetëm të Edi Ramës dhe Ergys Agasit, por edhe gjithë çunave që ishin kundër Gysit”, tha mes të tjerash Kryemadhi.

Më tej Kryemadhi, duke iu referuar ish-bashkëshortit të saj Ilir Meta, tha se për të nuk i fiku njeri radarët. Sipas saj, Meta vetëm i ndizte radarët, pasi kishte hallin e Shqipërisë dhe Kushtetutës. Për Kryemadhin, si PS, ashtu edhe PD, e ‘kanë kthyer Kushtetutën në letër higjenike’.

“Por nga ana tjetër do shikojmë sesi policia është përdorur për dëmtimin e provave në grupet e interesit të Gysit dhe fikjes së radarëve. Kështu që çdo ditë e më shumë gjërat do të zbardhen. Është për të qarë se na çfarë derexheje ka rënë shteti shqiptar. Si fiku njeri për mua për dashuri radarët. Asnjëherë nuk u fikën radarët për mua. Tani nuk i hyj më në punë njeriu. Ish bashkëshorti i ndizte radarët se kishte hallin e Shqipërisë, hallin e kushtetutës. E mbani mend si e puthte kushtetutën? Kushtetutën këta e kanë përdorur si letër higjenike. Këta këtej dhe ata andej”, shtoi Kryemadhi.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick