Ministri i Brendshëm pezullon dy efektivë: Tejkaluan komperencat!

Facebook
WhatsApp

Vendimi erdhi menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku dy punonjësit e policisë shfaqen duke përdorur forcën në tejkalim të detyrës gjatë ndërhyrjes në tubim.

Ministri i Brendshëm Ervin Demo thotë se dy punonjës së Policisë së Shtetit janë pezulluar, pasi pamjet e tyre duke dhunuar protestues janë shfaqur sot në media.

Bëhet fjalë për rastin e dhunimit të një djali të ri, pranë Ministrisë së Arsimit, i cili u tërhoq zvarrë në rrugë teksa një polic e qëllonte me shkelmë. Një rast tjetër besohet se është ai i goditjes së një protestuesi që qëndronte në mes të rrugës por pa kryer akte dhune.

Në lidhje me rastin, ka reaguar edhe Policia e Shtetit, duke thënë se nuk do të tolerojë dhunën që cënon imazhin e saj.

Reagimi i ministrit Ervin Demo:

Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme.

Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë.

Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.

Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit.

Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.

Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!

Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen!

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës policie në tejkalim të detyrës dhe të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht:

Inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.

Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për dy punonjësit e Policisë.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë.

Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve.

Protestat e katër ditëve të fundit kanë hapur edhe një tjetër front hetimor për Policinë e Shtetit. Përveç ngjarjeve në terren, strukturat e Antiterrorit dhe Hetimit të Krimit Kibernetik kanë identifikuar grupe komunikimi në rrjetet sociale, ku sipas Policisë janë shpërndarë mesazhe që bëjnë thirrje për akte ekstreme dhe terroriste.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, deklaroi se në këto kanale janë konstatuar edhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.

Sipas tij, autoritetet kanë regjistruar procedim penal dhe kanë nisur bashkëpunimin me agjencitë partnere ndërkombëtare për të zbuluar adresat IP, administratorët e grupeve dhe përdoruesit që kanë shpërndarë mesazhet.

Por deklarata e Ziut ngre edhe një çështje tjetër. Policia flet për thirrje terroriste dhe veprime destabilizuese, ndërsa ende nuk ka bërë publike se sa grupe ka identifikuar, cilat janë platformat e komunikimit dhe nëse personat nën hetim kanë lidhje konkrete me organizimin e protestave.

Ziu bëri të ditur se hetimet përfshijnë persona brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërsa strukturat e specializuara po verifikojnë qëllimet dhe veprimet e tyre.

Policia nuk ka njoftuar deri tani arrestime apo masa sigurie për këtë procedim. Po ashtu, nuk ka sqaruar nëse hetimi ka dokumentuar vetëm mesazhe në internet apo edhe përgatitje konkrete për kryerjen e akteve të dhunshme.

Policia ka konfirmuar ekzistencën e një hetimi për kërcënime dhe thirrje të rënda në hapësirën virtuale, por jo identitetin e autorëve apo lidhjen e tyre me ngjarjet e katër ditëve të protestave.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick