Buxheti i këtij viti kalon për herë të parë pragun e 10 miliardë eurove, ndërsa të gjitha amendamentet e paraqitura nga opozita u rrëzuan.
Pas më shumë se 14 orësh diskutimesh, debatesh të ashpra dhe përplasjesh politike mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar buxhetin e shtetit për vitin 2027 me 80 vota pro dhe 20 kundër.
Seanca plenare e së enjtes u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, ku përveç projektbuxhetit dhe paketës së ndryshimeve fiskale, në fokus të debatit politik ishin edhe aktet normative të qeverisë për tubimet dhe masat e parashikuara në të ashtuquajturën paketë antidhunë.
Përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan ashpër këto masa, duke pretenduar se ato cenojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar. Në krahun tjetër, mazhoranca argumentoi se nismat synojnë parandalimin e akteve të dhunshme dhe garantimin e sigurisë së institucioneve, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Një tjetër moment i rëndësishëm i seancës ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dispozitës që parashikon gjobën prej 5 mijë lekësh për bllokimin e rrugëve gjatë protestave. Ky vendim nxiti debate dhe replika mes deputetëve të opozitës dhe kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, lidhur me të drejtën e Kuvendit për të vijuar shqyrtimin e akteve normative.
Seanca nuk u kursye as nga përplasjet personale mes deputetëve. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pati shkëmbime të forta replikash me ministrin e Kulturës, Blendi Gonxhja, si dhe me deputetin socialist Erion Braçe. Ndërkohë, Ulsi Manja u përfshi në debate me kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe deputetin Erald Kapri.
Pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme të opozitës dhe klimës së tensionuar në sallë, mazhoranca vijoi procedurat parlamentare deri në votimin përfundimtar të buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027. Gjatë momentit të votimit të projektbuxhetit, kryeministri Edi Rama nuk ndodhej në sallën e Kuvendit.
Miratimi i buxhetit me shumicën e votave të mazhorancës mbyll një nga proceset më të rëndësishme parlamentare të këtij viti. Megjithatë, përplasjet politike pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, veçanërisht në prag të protestës së opozitës të paralajmëruar për 28 nëntor.









