Kjo shkëputje vjen vetëm pak ditë pas seancës të së mërkurës, e cila u shoqërua me tensione mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.
Avokati Kujtim Cakrani ka njoftuar se nuk do të përfaqësojë më ish-presidentin Ilir Meta në procesin penal që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Në një deklaratë publike, Studio Ligjore “Cakrani” bën me dije se mbrojtja e Metës kishte nisur më 24 maj 2025 dhe se bashkëpunimi ishte zhvilluar me profesionalizëm dhe angazhim në mbrojtje të të drejtave të klientit.
Megjithatë, sot studio njoftoi për përfundimin e marrëdhënies klient-avokat, duke theksuar se vendimi vjen pas humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm mes palëve.
Kjo shkëputje vjen vetëm pak ditë pas seancës të së mërkurës, e cila u shoqërua me tensione mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Gjatë seancës pati debate për Ardian Shatkun, kushëririn e Monika Kryemadhit, i cili konsiderohet një nga personat kyç të përmendur në dosjen hetimore. Ndërkohë, Meta dhe Kryemadhi shkëmbyen akuza dhe replika në sallën e gjyqit.
Pas asaj seance, vetë Cakrani deklaroi për mediat se nuk bëhej fjalë për një konflikt personal mes ish-bashkëshortëve, por se tensionet kishin lindur gjatë diskutimeve për Ardian Shatkun. Sipas deklaratës, kjo situatë u bë e dukshme veçanërisht pas seancës së fundit gjyqësore në themel të çështjes.
Cakrani thekson se vendimi është marrë në përputhje me Kodin e Etikës dhe legjislacionin në fuqi, duke shtuar se nuk ka konflikt interesi apo përplasje personale me klientin. Në përfundim, studio ligjore i uron Ilir Metës gjetjen e një përfaqësimi të ri ligjor dhe garanton respektimin e konfidencialitetit të plotë të informacionit të administruar gjatë procesit të mbrojtjes.
Deklarata e plotë për mediat
Me datë 24 maj 2025, Studio Ligjore “Cakrani” nëpërmjet avokatit Kujtim Cakrani, mori përsipër përfaqësimin ligjor të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Metaj, në procedimin penal të zhvilluar para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO/SPAK). Bashkëpunimi është kryer me ndershmëri profesionale dhe me angazhim të plotë në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave ligjore të klientit.
Sot, më datë 29 Qershor 2026, Studio Ligjore “Cakrani” njofton publikun se marrëdhënia klient–avokat me z. Ilir Metaj ka ardhur në fund. Shkëputja e kësaj marrëdhënieje vjen si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit të nevojshëm ndërmjet klientit dhe mbrojtësit ligjor, gjendje kjo e evidentuar sidomos pas seancës së fundit gjyqësore të çështjes në themel.
Theksojmë se kjo shkëputje bëhet plotësisht brenda normave të etikës dhe deontologjisë profesionale të avokatit, në zbatim të Kodit të Etikës së Dhomës së Avokatisë dhe legjislacionit në fuqi. Nuk ka asnjë konflikt interesi, akuza reciproke apo qëndrim polemik nga asnjëra palë. Vendimi pasqyron thjesht dhe vetëm mungesën e kushteve objektive të domosdoshme për vazhdimin e një mbrojtjeje ligjore efektive.
Studio Ligjore “Cakrani” i uron z. Metaj gjetjen e përfaqësimit ligjor të duhur dhe respekton të drejtën e tij kushtetuese dhe konvencionale për gjykim të drejtë. Gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, avokati Kujtim Cakrani ka vepruar me integritet profesional të plotë dhe do të ruajnë, si e kërkon ligji, konfidencialitetin e informacioneve të fituara gjatë ushtrimit të mandatit.
Kjo deklaratë lëshohet me qëllim ekskluziv të transparencës ndaj opinionit publik dhe medias, për të evituar çdo keqkuptim apo interpretim të gabuar të rrethanave që çuan në përfundimin e marrëdhënies profesionale.









