Llalla u dënua me dy vite burg për veprat penale që lidhen me mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë, në 3 episode në vitin 2021.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kërkon pushimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke u mbështetur te parashkrimi i parashikuar në Kodin Penal. Ish-kreu i organit të akuzës, i dënuar në vitin 2021 për fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë, synon që përfundimi i afatit ligjor t’i japë fund mundësisë së ekzekutimit të dënimit ndaj tij.
Kërkesa mbështetet në dispozitat e Kodit Penal, sipas të cilave vendimet që parashikojnë dënime deri në pesë vjet burg nuk ekzekutohen nëse kanë kaluar pesë vjet nga dita kur vendimi ka marrë formë të prerë, në kushtet e përcaktuara nga ligji.
Llalla u dënua përfundimisht më 22 shtator 2021, ndërsa çështja e parashkrimit lidhet me përllogaritjen e afatit ligjor dhe kushtet për zbatimin e tij. Nëse gjykata konstaton se dënimi është parashkruar, ish-kryeprokurori nuk do të detyrohet ta vuajë atë, megjithëse vendimi i fajësisë do të mbetet në fuqi.
Kodi Penal përcakton se: “Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar: a) njëzet vjet për vendimin që përmban dënim pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet burgim; b) dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim; c) pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të tjera më të lehta”.
Pikërisht kjo dispozitë përbën bazën ligjore të kërkesës së ish-Prokurorit të Përgjithshëm, i cili prej disa vitesh përballet me pasojat e vendimit penal të dhënë ndaj tij.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i përfundoi mandati pesëvjeçar. Pas largimit nga drejtimi i institucionit më të lartë të akuzës, ai u përball me hetime penale që kishin në qendër pasurinë e tij dhe mënyrën e deklarimit të saj.
Hetimet nisën në vitin 2018, fillimisht për disa vepra penale, mes të cilave fshehja e pasurisë, shpërdorimi i detyrës dhe pastrimi i parave. Ish-kryeprokurori u hetua gjithashtu për veprën penale të mosdeklarimit të shumave monetare në kufi.
Dosja kaloi më pas në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda, ndërsa në korrik 2018 gjykata vendosi sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme në pronësi të Llallës.
Sipas njoftimit të atëhershëm të Prokurorisë për Krime të Rënda, nën sekuestro u vendosën një apartament me sipërfaqe 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme rreth 22 mijë metra katrorë në periferi të Tiranës.
Hetimet synonin të sqaronin burimin e krijimit të këtyre pasurive, mënyrën e përfitimit të tyre dhe përputhjen me deklarimet e bëra nga Llalla gjatë kohës që ushtronte funksione publike.
Megjithëse fillimisht ishte hetuar për disa vepra penale, akuzat ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm u reduktuan gjatë hetimit. Më 9 mars 2021, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi përfundimin e hetimeve ndaj tij vetëm për veprën penale të “refuzimit për deklarimin, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.
Më 20 maj 2021, Gjykata e Posaçme e shkallës së parë e dënoi Adriatik Llallën me dy vjet burg. Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen me një të tretën e dënimit, duke e çuar masën përfundimtare në një vit e katër muaj burgim.
Më 22 shtator 2021, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e dënimit ndaj ish-kryeprokurorit. Krahas dënimit me burg, ndaj tij u vendos edhe heqja e së drejtës për të ushtruar funksione publike për pesë vjet, si dhe konfiskimi i pasurive të përcaktuara në vendimin gjyqësor.
Llalla nuk ishte i pranishëm në seancën kur u shpall vendimi i Apelit. Pas dhënies së vendimit të formës së prerë, SPAK nxori urdhrin për ekzekutimin e dënimit, ndërsa Policia e Shtetit kreu kontrolle për lokalizimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, por nuk arriti ta gjente. Ai u arratis në Itali, ku dhe ndodhet aktualisht.
Tashmë, disa vite pas dënimit, Llalla kërkon që çështja e ekzekutimit të tij të mbyllet për shkak të parashkrimit. Kërkesa nuk synon rrëzimin e vendimit që e shpalli fajtor, por konstatimin se ka përfunduar afati brenda të cilit dënimi mund të ekzekutohet.









