Bankat e nivelit të dytë kanë vendosur të mbyllin degët brenda unazës së vogël të Tiranës për arsye të sigurisë.
Bankat e nivelit të dytë kanë vendosur të mbyllin degët brenda unazës së vogël të Tiranës për arsye të sigurisë. Mësohet se të gjitha bankat kanë urdhëruar stafin e tyre që të mbyllë degët dhe të largohet nga puna për në shtëpi duke pezulluar cdo veprim me klientët.
Ky vendim ekstrem ka ardhur si pasojë e përshkallëzimit të protestave në qendër të Tiranës, duke lënë pa shërbim mijëra qytetarë dhe biznese në zonën më të ngarkuar tregtare të vendit.
Burime nga sektori bankar i thanë Kapitalit se ky hap u ndërmor për të garantuar sigurinë e jetës së personelit dhe për të mbrojtur infrastrukturën fizike të bankave nga rreziku i akteve të dhunës.
Ky izolim i detyruar i qendrës financiare të kryeqytetit dëshmon qartë se si mungesa e rendit dhe dështimi i strukturave ligjzbatuese për të menaxhuar situatën kanë filluar të kenë një kosto direkte mbi ekonominë kombëtare.
Ky bllokim i aktivitetit bankar ekspozon një problematikë shumë më të parakohshme dhe më të thellë: paaftësinë e qeverisë për të garantuar sigurinë publike dhe stabilitetin në pikat kyçe të vendit.
Kur institucionet financiare detyrohen të ulin qepenat në mes të ditës nga frika e dhunës dhe mungesa e kontrollit mbi territorin, sinjali që i dërgohet tregut dhe investitorëve të huaj është ai i një shteti në krizë dhe të paaftë për të ruajtur rendin elementar.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se ngjarje të tilla nuk sjellin thjesht humbje ditore në transaksione apo bllokim të xhiros së bizneseve të vogla e të mesme që operojnë në qendër. Impakti është afatgjatë; pasiguria publike e nxitur nga plogështia e strukturave shtetërore dëmton rëndë klimën e biznesit, ul besimin e konsumatorëve dhe rrit kostot e operimit të kompanive.
Në një mjedis ku shteti nuk garanton dot paprekshmërinë e pronës dhe mbarëvajtjen normale të punës, kapitaleve dhe investimeve u kanoset rreziku i largimit, duke goditur direkt rritjen ekonomike dhe stabilitetin e vendit.









