Enrik Mehmeti la pas një karrierë të gjatë e të begatë në median e shkruar e vizive. Ai iu bashkua News24 që në ditët e para të themelimit të televizionit, duke raportuar me përkushtim dhe profesionalizëm për ngjarjet e ndodhura në qytetin e Vlorës, nga kronika e zezë, operacionet e bujshme policore, problematikat sociale, turizmi etj.
Gazetari Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht një ditë më parë në një aksident pranë zonës së plazhit në Zvërnec, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Sipas njoftimit mortor të publikuar nga familja, ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot. Nisja e kortezhit do të bëhet në orën 12:00 nga banesa e të ndjerit në lagjen “7 Pallatet”, drejt Teatrit “Petro Marko”. Varrimi do të kryhet në Varrezat e Vlorës, në orën 14:00.
Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës, 40-vjeçari po lëvizte me një motomjet me katër rrota, kur, për arsye ende të paqarta, humbi kontrollin e mjetit, duke u rrokullisur disa herë. Përplasjet në pjesët metalike të motomjetit rezultuan fatale për gazetarin. Me të udhëtonte edhe një 18-vjeçar, i cili mbeti i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar me një mesazh ngushëllimi pas ndarjes tragjike nga jeta të gazetarit Mehmeti.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka marrë me dhimbje të thellë lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të gazetarit të News24, Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor në Vlorë. Largimi i parakohshëm i Enrikut është një humbje e rëndë për familjen e tij, të afërmit, kolegët, miqtë dhe për të gjithë komunitetin e gazetarëve shqiptarë.
Për vite me radhë ai raportoi me përkushtim nga qarku i Vlorës, duke u dalluar për profesionalizmin, seriozitetin dhe angazhimin e tij në informimin e publikut. Në këto momente të vështira, AGSH i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehmeti, redaksisë së News24 dhe të gjithë kolegëve që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. Kujtimi i Enrik Mehmetit do të mbetet i gjallë në gazetarinë shqiptare. U prehtë në paqe!”.
Enrik Mehmeti la pas një karrierë të gjatë e të begatë në median e shkruar e vizive. Ai iu bashkua News24 që në ditët e para të themelimit të televizionit, duke raportuar me përkushtim dhe profesionalizëm për ngjarjet e ndodhura në qytetin e Vlorës, nga kronika e zezë, operacionet e bujshme policore, problematikat sociale, turizmi etj.
Me guxim të jashtëzakonshëm që kur ishte fëmijë, në plumbat që vërshëllenin pranë tij në vitin famëkeq 1997, Enrik Mehmeti asokohe vetëm 11 vjeç iu bashkua kampit misionar “Alba” si përkthyes, duke u bërë kështu zëri i të pamundurve.
Në guximin e fëmijës, të burrëruar ende pa u rritur, Enrik Mehmeti siç ka deklaruar më parë, kuptoi se gazetaria ishte misioni i tij i jetës, duke rendur jo thjesht në kërkim të lajmit, por lajmi ndodhte atje ku ai ishte, në kohë reale.
Me vendosmërinë si forcë të karakterit të tij dhe fjalën si mjetin më të fuqishëm të gazetarit, ai iu bashkua si korrespondent edhe televizionit “Rai” në Itali, duke transmetuar drejtpërdrejt ngjarje nga Shqipëria.









