Pukë, flakët shkrumbojnë 4 banesa, por pa dëme në njerëz

Facebook
WhatsApp

Zjarret kanë përfshirë disa zona të Shqipërisë, ndërsa Puka është kthyer në një nga vatrat më problematike. Katër banesa janë përfshirë nga flakët, ndërsa në Mirditë katër familje janë evakuuar për shkak të rrezikut nga zjarret.

Shqipëria po përballet me një valë të re zjarresh, me vatra të shpërndara në disa qarqe të vendit. Temperaturat e larta, bimësia e dendur dhe terreni i vështirë kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke rrezikuar banesa dhe zona të banuara.

Situata më e rëndë është regjistruar në Gojan të Madh, në bashkinë Pukë, ku zjarri ka shkaktuar dëme në banesa. Sipas të dhënave të fundit, tre banesa të braktisura janë djegur, ndërsa një tjetër banesë është përfshirë nga flakët, duke e çuar në katër numrin e shtëpive të prekura. Ndërkohë, dy banesa të banuara janë shpëtuar falë ndërhyrjes së forcave në terren.

Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun janë angazhuar rreth 255 persona dhe 11 mjete zjarrfikëse. Në operacion marrin pjesë efektivë të shërbimeve zjarrfikëse, Forcave të Armatosura, shërbimit pyjor, strukturave vendore, si dhe dhjetëra vullnetarë e banorë të zonës. Ndërhyrja është mbështetur edhe nga ajri, ndërsa forcat vijojnë monitorimin për të parandaluar riaktivizimin e vatrave.

Situata mbetet problematike edhe në Mirditë, ku dy vatra të mëdha zjarri janë aktivizuar në zonat e Tënës dhe Kodër Rrëshenit. Flakët, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe bimësia e dendur, janë afruar pranë banesave, duke detyruar autoritetet të evakuojnë katër familje. Forcat e emergjencës dhe shërbimet zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen për izolimin e zjarreve.

Një tjetër vatër e rëndësishme është ajo në Dukat të Vlorës, ku zjarri është përhapur në një terren malor dhe të vështirë për ndërhyrje. Forcat e Armatosura kanë zhvilluar një operacion intensiv, me dhjetëra efektivë në terren dhe mbështetje nga ajri. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, pjesa më e madhe e flakëve është shuar, ndërsa trupat vijojnë monitorimin e zonës.

Zjarri në Mal-Milot të Kurbinit ka qenë gjithashtu një kërcënim për banesat pranë zonës pyjore. Ndërhyrja e forcave tokësore dhe ajrore bëri të mundur mbrojtjen e zonës së banuar, pa pasur nevojë për evakuimin e familjeve.

Vatra janë raportuar edhe në Dajt të Tiranës dhe në Elbasan. Në fshatin Derstil, flakët rrezikuan një banesë dhe një biznes, por zjarri u vu nën kontroll pas ndërhyrjes së banorëve dhe zjarrfikësve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 24 vatra zjarri, 8 prej të cilave vijojnë aktive, ndërsa qindra efektivë, mjete zjarrfikëse, helikopterë dhe avionë janë angazhuar në terren. Autoritetet po vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë vendin, ndërsa policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të rënies së zjarreve.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick