Rama: Investimi në Sazan e Zvërnec mund të jetë 6 miliard euro!

Facebook
WhatsApp

Projekti i Sazanit dhe Zvërnecit ishte në qendër të deklaratave të Edi Ramës në Samitin e Euronews në Bruksel, ku kryeministri foli për një investim që, sipas tij, mund të kapë vlerën e 6 miliardë eurove. Rama komentoi edhe protestat kundër projektit, duke i lidhur ato me emrin e Jared Kushner.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti turistik që përfshin ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit mund të shkojë në një vlerë prej 6 miliardë eurosh. Në Samitin e Euronews për Turizmin në Bruksel, Rama foli për strategjinë e Shqipërisë për turizmin luksoz dhe iu përgjigj edhe kritikave e protestave që kanë shoqëruar projektet e lidhura me Jared Kushner.

“Ne jemi në përpjekje për të sjellë investimin më të madh në Europë prej shumë vitesh në turizëm, që kombinuar midis ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Zvërnecit, mund të arrijë në 6 apo më shumë miliardë”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, interesi i investitorëve lidhet me potencialin që ofron Shqipëria dhe jo me lidhjet politike të investitorëve.

“Arsyeja reale pse kanë ardhur s’është politike, nuk lidhet me Trump-in, por me faktin që dhëndri i Trumpit së bashku me një kompani të madhe nga Katari, e pa shumë tërheqëse të investonte në Shqipëri. Biseda ka nisur kur nuk ishte akoma e qartë nëse Trump do të shkonte në Shtëpinë e Bardhë apo në burg”, deklaroi ai.

Rama foli edhe për protestat kundër projekteve turistike në bregdetin e jugut të vendit, duke thënë se sipas tij emri i Jared Kushner ka bërë që investimi në Zvërnec të kthehet në një objekt përplasjeje politike më të gjerë.

“Askush tjetër s’është dhëndri i Donald Trump-it. Kështu që askush tjetër nuk rrezikon që të gjendet nën projektorin e të majtëve, demokratëve, gazetarëve, liberalëve, etj., etj., që mezi presin që të gjejnë një arsye për të luftuar me Trump-in, në Europë, Amerikë, Tokë apo Hënë”, u shpreh kryeministri.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se një nga objektivat e Shqipërisë është rritja e turizmit të nivelit të lartë, duke argumentuar se investimet në këtë sektor mund të sjellin më shumë të ardhura dhe të ulin presionin mbi territorin.

“Një prej anëve jo të mira të kësaj është që duke pasur një turizëm që ndërtohet mbi turistin me të ardhura të ulëta apo të mesme rrezikojmë që të mos marrim mbrapsht atë që mundemi. Por po të investojmë në turizmin luksoz, ne ulim trysninë mbi vendin dhe marrim edhe mbrapsht”, tha Rama.

Ai shtoi se në projektin e madh që pritet të zhvillohet në Sazan dhe Zvërnec janë përfshirë edhe marka të mëdha ndërkombëtare.

“10 vjet më parë ishte e pamundur, 5 yjet ishin thjesht të dizenjuara në zyra dhe u vendosnin kuturu. Ndërsa sot është krejt ndryshe. Në projektin e madh që presim ta çojmë përpara ka një sërë markash të mëdha që janë gati të vijnë dhe kanë nënshkruar”, u shpreh kryeministri.

Rama tha gjithashtu se ndryshimi i imazhit të Shqipërisë ndër vite ka ndikuar në rritjen e interesit të investitorëve dhe turistëve.

“Sot nuk jemi gropa e zezë e Europës, por një perlë e vogël e Europës”, deklaroi ai.

Gjatë samitit, kryeministri u pyet edhe për protestat e zhvilluara në Tiranë kundër qeverisë, si dhe për qëndrimet publike të këngëtares Dua Lipa.

“Ajo është krenare për protestën, unë jam krenar për të, është e thjeshtë. Është ideologji kur thua ose zhvillimi ose konservimi. Unë them se të dy mund të bashkëbisedojnë dhe të funksionojnë krah për krah. Duas i pëlqen protesta, mua më pëlqen shumë Dua”, tha Rama.

Ai e konsideroi faktin që zhvillohen protesta si pjesë të një shoqërie demokratike.

“Fakti që kemi protesta sot është shumë mirë. Ne po bëhemi si të gjithë. Sigurisht që njerëzit protestojnë”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se protestat masive e kanë nxitur qeverinë, sipas tij, të reflektojë përmes një mekanizmi të ri transparence dhe llogaridhënieje, të cilin e quajti “Pasqyra Albania”.

“Kur protestat ishin në fillim dhe u bënë masive, nuk u bënë masive se Shqipëria kishte problemin e flamingove. Pashë atje njerëz që thuhej se ishin votuesit tanë, dolëm me një reflektim dhe kuptuam se kishte një sërë gjërash, dolëm me pasqyrën tonë inteligjente”, tha Rama.

Sipas tij, kjo platformë do të shërbejë për të bërë publike problematikat dhe për t’i mbajtur institucionet përgjegjëse për kërkesat e qytetarëve.

“Pasqyra do fillojë të shfaqë çdo të vërtetë për këtë projekt, pastaj njerëzit do kontrollojnë faktet. Kjo pasqyrë do shërbejë për kërkesat që qytetarët kanë për qeverinë do trajtohen si një DHL, dhe kjo pasqyrë do mbajë llogaridhënës të gjithë ata në qeveri që nuk i përgjigjen njerëzve”, përfundoi kryeministri.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick