Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë në Jalë, Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment historik në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke shprehur bindjen se objektivi është tashmë më i arritshëm se kurrë.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, me të rinjtë në Jalë, u shpreh se Shqipëria duhet të kalojë nga turizmi masiv, te kategoria tjetër e turistëve, konkretisht te ata që sjellin më shumë para në ekonominë tonë.
Ai solli shembullin e Mykonos në Greqi, i cili siç tha Rama, edhe pse një zonë e vogël, falë shërbimeve dhe njerëzve që shkojnë aty, ka kapacitetin të kontribuojë pozitivisht në ekonominë e shtetit fqinj.
Kryeministri theksoi se për të përthithur këtë target të turistëve duhen së pari investime në zonat bregdetare dhe se duhen krijuar kushte shtesë.
“Turizmi masiv ne nuk na çon më lart, por na çon më poshtë dhe ne duhet të kalojmë te një kategori tjetër turisti dhe konsumatori. Ne duhet të kërkojmë që të vijojnë këtu ata që shpenzojnë shumë. Ju të gjithë e keni dëgjuar Mykonos. Çfarë është Mykonos? Mykonos është një vend ku shkojnë turistë që konsumojnë shumë. Aty ka tjetër nivel.”, tha ai.
Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, Rama u ndal te procesi i integrimit europian, marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe punësimet në administratën publike, duke i cilësuar këto si pjesë të një etape të rëndësishme për vendin.
Rama deklaroi se Shqipëria ndodhet në një moment historik në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke shprehur bindjen se objektivi është tashmë më i arritshëm se kurrë.
“Kam frikë se edhe shkrimi i historisë pas 30 vitesh do të jetë tjetër. Për herë të parë jemi në kushtet që ëndrra e anëtarësimit në Bashkimin Europian të bëhet realitet. E kam besuar këtë kur dukej e pamundur dhe e besoj edhe më shumë sot, kur mbërritja duket me sy. Nëse kjo ndodh, historia do të sillet mirë me ne”, tha kryeministri.
Duke folur për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, Rama theksoi se Shqipëria ka interes strategjik që raportet mes dy vendeve të jenë sa më të mira, ndërsa vlerësoi progresin e arritur në vitet e fundit.
Sipas tij, zhvillimi demokratik nuk është një proces linear dhe çdo shtet përballet me sfida, por Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Shkupin në rrugën e integrimit europian.
“Shqipëria ka gjithë interesin që marrëdhëniet mes dy popujve dhe dy vendeve të jenë harmonike. Janë bërë përparime shumë të mëdha. Kam qenë gjithmonë i mendimit se vetot në procesin e integrimit nuk i shërbejnë askujt, por janë pengmarrje”, u shpreh Rama.
Kryeministri komentoi edhe rolin e algoritmeve dhe rrjeteve sociale, duke thënë se ato nuk krijojnë problemet, por vetëm i amplifikojnë ato.
“Problemet nuk i krijon algoritmi, por i karakterizon sipas natyrës së tyre. Dikur kishim thashethemin, sot ai është bërë global dhe dixhital”, tha ai.
Në fund, Rama u ndal te administrata publike, duke vlerësuar nivelin e shërbimit civil dhe procesin e rekrutimit të të rinjve. Sipas tij, suksesi i Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian lidhet edhe me cilësinë e administratës, ndërsa theksoi se të rinjtë e punësuar kanë hyrë në institucionet shtetërore mbi bazën e meritës.
“Numri i vajzave dhe djemve që janë punësuar në administratë kanë ardhur nga programet e ekselencës. Ata janë pjesë e administratës sepse e kanë merituar”, përfundoi Rama.









