Raporti i KE: Korrupsioni në Shqipëri ende shumë i përhapur

Facebook
WhatsApp

Ai evidenton Policinë e Shtetit, prokurimin publik dhe sektorët me risk të lartë. Më tej thuhet se zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë nivelet më të larta, kanë ushtruar presion mbi drejtësinë.

Komisioni Europian ka ngritur shqetësime për nivelin e ekspozimit ndaj korrupsionit në disa sektorë kyç të administratës publike në vend. Kjo duke theksuar se masat parandaluese duhet të jenë më të fokusuara dhe më efektive.

Në raportin e publikuar thuhet se disa sektorë vazhdojnë të konsiderohen veçanërisht të ekspozuar ndaj korrupsionit, në veçanti shëndetësia, arsimi, prokurimi publik, partneritetet publike-private, organet ligjzbatuese, prona, administrata tatimore dhe dogana. Kjo duke shtuar se integriteti i biznesit mbetet një fushë që kërkon vëmendje të veçantë.

Raporti thekson se rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në ndërmarrjet shtetërore ose pjesërisht shtetërore, të cilave u janë besuar përgjegjësi të rëndësishme publike.

Gjithashtu thuhet se transparenca e procedurave të prokurimit publik, veçanërisht në partneritetet publike-private, mbetet e kufizuar, sidomos sa i përket dhënies së statusit të investitorit strategjik. Kjo duke shktuar se ndërhyrja politike vazhdon të jetë e përhapur dhe kërkon vendosjen e garancive më të forta.

“Transparenca e procedurave të prokurimit publik, veçanërisht në partneritetet publike-private, mbetet e kufizuar. Megjithëse është miratuar dhe zbatuar një kuadër i strukturuar për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në disa sektorë me rrezik të lartë, nevojiten masa parandaluese më të targetuara.

Disa sektorë vazhdojnë të konsiderohen veçanërisht të ekspozuar ndaj korrupsionit, në veçanti shëndetësia, arsimi, prokurimi publik, partneritetet publike-private, organet ligjzbatuese, prona, administrata tatimore dhe doganat. Integriteti i biznesit mbetet një fushë që kërkon vëmendje të veçantë.

Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në ndërmarrjet shtetërore ose pjesërisht shtetërore, të cilave u janë besuar përgjegjësi të rëndësishme publike, përfshirë procedurat e prokurimit publik në sektorët e digjitalizimit dhe infrastrukturës, si dhe në projektet që financohen nga Bashkimi Evropian.

Transparenca e procedurave të prokurimit publik, veçanërisht në partneritetet publike-private, mbetet e kufizuar, sidomos sa i përket dhënies së statusit të investitorit strategjik. Ndërhyrja politike vazhdon të jetë e përhapur dhe kërkon vendosjen e garancive më të forta.

Strategjia e re Kundër Korrupsionit përqendrohet në sektorët më të ekspozuar ndaj rrezikut, veçanërisht infrastrukturën publike, kadastrën dhe të drejtat e pronësisë, doganat, administratën tatimore, arsimin, shëndetësinë dhe prokurimin publik.

Zbatimi efektiv i saj, i orientuar drejt rezultateve, me mekanizma të fortë monitorimi dhe koordinim institucional, duhet të vazhdojë. Në prill 2025 u miratua metodologjia për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në sektorin publik, duke krijuar një kuadër të strukturuar për identifikimin dhe minimizimin e rreziqeve të korrupsionit në institucionet publike.

Gjatë periudhës së raportimit, vlerësime të rrezikut janë kryer ose kanë nisur në disa sektorë me rrezik të lartë, përfshirë prokurimin publik, shëndetësinë dhe sektorin e pronës. Pas vlerësimit të kryer në sektorin e pronës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës miratoi Planin e Integritetit 2025–2027, i cili parashikon masa parandaluese të synuara”, thuhet në raport.

Raporti vëren se SPAK dhe gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë konsoliduar më tej rezultatet e tyre në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit. Kjo përfshirë ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë. Në lidhje me këtë, raporti thekson se SPAK hetoi 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë, ku 18 prej tyre u referuan në gjykatë dhe 10 u dënuan me vendim përfundimtar.

Më tej thuhet se zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë nivelet më të larta, kanë ushtruar presion mbi drejtësinë. Në lidhje me këtë, raporti përmend se tetë magjistratë, mes tyre dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë, janë vendosur nën mbrojtje, ndër ta edhe prokurorë të SPAK dhe ish-kreu i KLP-së.

Në raport përmendet më tej se: Përpjekjet nga zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë nivelet më të larta, për të ushtruar publikisht ndikim të padrejtë në institucionet e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve në të gjitha nivelet vazhduan gjatë gjithë periudhës së raportimit.

Pezullimi i një zyrtari të nivelit të lartë nga detyra, i urdhëruar nga Gjykata e SPAK-ut, në përputhje me dispozitat aktuale të Kodit të Procedurës Penale, si dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Parlamentit për të hequr imunitetin parlamentar të zyrtarit të lartpërmendur, shkaktuan reagime të konsiderueshme negative nga degët ekzekutive dhe legjislative, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta kundër SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore.

Institucionet qeverisëse të gjyqësorit lëshuan deklarata publike, duke denoncuar presionin politik. Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të përhapura në Policinë e Shtetit, prokurimin publik dhe në sektorët me risk të lartë, për të cilët Shqipëria aktualisht po zbaton vlerësimet e riskut.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick