I infektuari është një 72-vjeçar, banues në qytetin e Korçës. Ai ndodhet në Spitalin Rajonal të Korçës dhe po merr trajtim mjekësor. Dyshimet janë se i moshuari mund të jetë pickuar nga një mushkonjë gjatë qëndrimit në një lulishte, ku kalonte një pjesë të konsiderueshme të ditës.
Një 72-vjeçar nga Korça rezultoi i infektuar me virusin e Nilit Perëndimor. Specialistët po kontrollojnë zonat ku mund të jetë e pranishme mushkonja që transmeton virusin dhe po përgatiten masat për trajtimin e vatrave të mundshme.
Instituti i Shëndetit Publik ka dërguar një ekip specialistësh në qarkun e Korçës, pas konfirmimit të rastit të parë me Ethet e Nilit në Shqipëri. Hetimi në terren synon të përcaktojë praninë e mushkonjave që transmetojnë virusin dhe zonat ku nevojitet ndërhyrje.
I infektuari është një 72-vjeçar, banues në qytetin e Korçës. Ai ndodhet në Spitalin Rajonal të Korçës dhe po merr trajtim mjekësor.
Dyshimet janë se i moshuari mund të jetë pickuar nga një mushkonjë gjatë qëndrimit në një lulishte, ku kalonte një pjesë të konsiderueshme të ditës. Pas problemeve shëndetësore, ai iu drejtua spitalit dhe analizat laboratorike konfirmuan praninë e virusit të Nilit Perëndimor.
Specialistët e ISHP-së po zhvillojnë hetim epidemiologjik dhe entomologjik në disa zona të qarkut. Krahas kontrolleve për praninë e mushkonjës bartëse, ekipet po kryejnë edhe depistimin në vatër.
Në varësi të rezultateve të kontrolleve, pritet trajtimi dhe dezinfektimi i zonave që mund të favorizojnë praninë e mushkonjave.
Virusi i Nilit Perëndimor kalon te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Infeksioni mund të mos japë shenja, ndërsa në raste të tjera shfaq temperaturë, dhimbje koke dhe muskujsh, të përziera ose të vjella.
Në format më të rënda, virusi mund të prekë sistemin nervor dhe të shkaktojë komplikacione. Hetimi në Korçë do të shërbejë për të përcaktuar praninë e mushkonjës bartëse dhe masat e kontrollit në zonat e evidentuara.









