Shqipëria shpall non grata 2 shqiptarë nga Maqedonia, ja arsyeja

Facebook
WhatsApp

Ministria e Brendshme ka shpallur non grata imamin Bekir Halimi dhe politikanin e analistin Valon Belja, pas informacioneve nga Antiterrori se përbënin kërcënim real për vendin dhe qytetarët shqiptarë. Më herët, non grata u shpall edhe Ikballe Huduti, e lidhur ngushtë me regjimin iranian.

Dy shqiptarë të tjerë, nga Maqedonia e Veriut, janë shpallur non grata nga Ministria e Brendshme pasi dyshohet se kryenin veprimtari armiqësore kundër sovranitetit të shtetit shqiptar.

Burimet, bëjnë me dije se pas propozimit të Drejtorisë së Antiterrorit, ministria e Brendshme ka futur në listën e personave të padëshiruar imamin Bekir Halimi, si edhe politikanin dhe analistin Valon (Valjon) Belja. Të dyve u është ndaluar hyrja me 10 vite në territorin shqiptar, ndërsa për Valon Beljën u lëshua edhe urdhër dëbimi.

Imami Bekir Halimi, në vitin 2016 është përjashtuar nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut pas përplasjeve me drejtuesit e institucionit. Ndërsa, Valon Belja analist politik dhe ish-aktivist politik është i njohur për komentet e tij mbi zhvillimet politike në rajon. Më herët ka ushtruar detyrën e shefit të kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

Shpallja e tyre non grata erdhi pas informacioneve të Antiterrorit se vepronin kundër sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit e sigurisë publike, si edhe pas dyshimeve se janë anëtarë të organizatave terroriste që përkrahin e kryejnë veprime anarkiste kundër shtetit shqiptar.

Urdhri i Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit.

Më 25 qershor, Ministria e Brendshme shpalli person non grata edhe Ikballe Huduti, një shtetase nga Kosova, e lidhur ngushtë më regjimin iranian. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, shteti shqiptar ia ka ndaluar Haudutit hyrjen në territorin shqiptar për 15 vite.

Huduti njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të Ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri, ndërsa para shpalljes non grata kishte postuar edhe foto e video teksa merrte pjesë në protestën para Kryeministrisë në Tiranë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick