Zjarret kanë përfshirë disa zona në vend, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera operacionale vijojnë betejën për izolimin e vatrave. Në Daias situata është përmirësuar, ndërsa në Abazë të Krujës dhe në Lurë flakët mbeten shqetësuese.
Situata me zjarrin në fshatin Daias, mes Lundrës dhe Priskës, është përmirësuar dhe vatra po shkon drejt izolimit. Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, të përqendruara kryesisht pranë zonave të banuara, me qëllim shuarjen përfundimtare të flakëve dhe mbrojtjen e banesave e pronave të banorëve.
Operacioni po mbështetet edhe nga ajri. Helikopterët po ndërhyjnë në zonat më të vështira për t’u arritur nga toka, duke synuar frenimin e përhapjes së zjarrit në terrenin kodrinor.
Tre vatra zjarri u shfaqën pasditen e së mërkurës në Daias dhe në kodrat përreth. Flakët përfshinë sipërfaqe me bimësi dhe u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga terreni dhe kushtet e thata.
Një vatër e përmasave të mëdha u krijua në zonën e Daiasit, pranë Lundrës, ndërsa flakët dhe reja e dendur e tymit ishin të dukshme edhe nga qendra e Tiranës.
Pamjet e marra nga kryeqyteti treguan përmasat e zjarrit, i cili u përhap në një zonë kodrinore dhe mbeti aktiv për disa orë. Tymi u përhap mbi zonën e prekur, ndërsa flakët dalloheshin nga disa pika të larta të Tiranës.
Forcat zjarrfikëse punuan gjatë natës për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme. Në operacion u angazhuan edhe dy helikopterë, të cilët ndërhynë në zonat ku terreni e vështirësonte punën nga toka.
Sipas prefektit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, janë evakuuar 10 familje. Zjarri ka përfshirë edhe dy ose tre objekte të pabanuara, të cilat janë dëmtuar nga flakët.
Helikopterët ndërhynë gjithashtu në zonën e tuneleve të Qafë-Mollës, ndërsa një grup zjarrfikësish u angazhua në Priskë të Madhe. Në këto zona nuk është raportuar rrezik i drejtpërdrejtë për banesat.
Për shkak të përmasave të zjarrit, policia bllokoi përkohësisht qarkullimin në aksin rrugor që lidh Tiranën me Lundrën dhe Daiasin. Bllokimi u vendos në hyrje të Mulletit, duke mos lejuar automjetet të vijonin drejt zonës së përfshirë nga flakët.
Ndërkohë, zjarret kanë shkaktuar edhe probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ujë në zonën e Lundrës.
Krujë, flakët pranë banesave
Situatë më problematike vijon të paraqitet në lagjen Abazë të Krujës, ku zjarri, pas izolimit të përkohshëm gjatë ditës së djeshme, është riaktivizuar gjatë natës.
Flakët janë afruar pranë banesave, duke detyruar disa familje të largohen nga zona. Bashkia ka urdhëruar evakuimin e banorëve, ndërsa situata mbetet shqetësuese për shkak të rrezikut që zjarri të përhapet më tej.
Banorët kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri, pasi terreni e vështirëson punën e ekipeve në tokë.
Ndërkohë, vijon edhe zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në fshatin Kameras.
Zjarri vijon në Lurë
Një tjetër vatër aktive ndodhet në Parkun Kombëtar të Lurës, në Dibër, ku zjarri vijon të djegë sipërfaqe me pishë të zezë dhe bredh.
Në të gjithë vendin janë aktive rreth 10 vatra zjarri. Për përballimin e situatës janë angazhuar rreth 450 forca operacionale, si dhe mjete ajrore, mes tyre dy avionë “Air Tractor” dhe tre helikopterë.
Mallakastër, zjarri zgjeron perimetrin
Zjarri ka përfshirë edhe zonën pyjore Lofkënd-Ngraçije në Bashkinë Mallakastër, ku vijon puna për izolimin e flakëve.
Në terren janë angazhuar dhjetëra forca dhe mjete, ndërsa gjatë orëve të para të mëngjesit intensiteti i zjarrit është paraqitur më i ulët.
Në operacion janë përfshirë:
- 30 trupa të Forcave të Armatosura;
- 10 efektivë të Policisë Bashkiake;
- 15 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike;
- 5 efektivë të MZSH-së;
- 1 automjet zjarrfikës.
Në një tjetër pjesë të vatrës, në drejtim të ekonomisë pyjore Gjinoqare, po ndërhyjnë strukturat e MZSH-së Patos me dy mjete dhe 10 efektivë.
Pavarësisht uljes së përkohshme të intensitetit, zjarri vijon të zgjerojë perimetrin në disa drejtime, ndaj ekipet në terren po punojnë për të parandaluar përhapjen e tij në sipërfaqe të tjera pyjore.









