Çmimet\Tabaku akuza qeverisë: “Polici dixhital” nuk është zgjidhje

Facebook
WhatsApp

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se politikat e saj ekonomike dhe fiskale janë ndër faktorët që ndikojnë në çmimet e larta dhe rëndojnë kostot për qytetarët.

Reagimi i Tabakut vjen në një kohë kur qeveria ka prezantuar platformën digjitale “Pasqyra e Çmimeve”, e cila synon rritjen e transparencës dhe informimin e konsumatorëve mbi çmimet në treg.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, deputetja demokrate ironizoi idenë e përdorimit të teknologjisë për monitorimin dhe transparencën e çmimeve, duke ngritur pyetjen nëse qytetarëve u nevojitet një “polic digjital” për të parë çmimet te bizneset.

Sipas Tabakut, problemi duhet kërkuar te politikat e ndjekura nga qeveria. Ajo u ndal te barra fiskale mbi karburantet dhe produktet bazë të shportës, duke argumentuar se taksat ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar që paguajnë konsumatorët.

“A janë sot çmimet e larta në Shqipëri sepse mungonte një polic digjital te dera e biznesit?! A kanë nevojë pensionistët, qytetarët, fermerët dhe studentët të shohin sa janë çmimet te dera e biznesit? Përgjigjja për çmimet e larta është qeveria. Gabimet e qeverisë dhe politikat e gabuara janë arsyeja kryesore pse sot secili prej jush paguan çmime më të larta. Te karburanti, fjala vjen, 60% e çmimit janë taksa. Te çmimi i ushqimeve orizi, sheqeri, mielli, TVSH-ja është 20%, më e larta në rajon dhe ndër më të lartat edhe krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Këto e rrisin çmimin”, shprehet deputetja e PD.

Në reagimin e saj, Tabaku e zhvendosi më tej kritikën te politikat e qeverisë për mbështetjen e ekonomisë dhe sektorëve prodhues. Ajo përmendi kompaninë KAYO, ndërsa pretendoi se fermerët, fasoneria dhe familjet shqiptare nuk marrin mbështetjen e nevojshme.

Tabaku ka ngritur edhe më herët kritika ndaj politikave ekonomike të qeverisë dhe mënyrës së funksionimit të KAYO-s, duke kërkuar ndër të tjera transparencë për marrëveshjet dhe kontratat e kompanisë.

“Qeveria nuk e ka hallin të bëjë politika për ekonominë, të bëjë politika që ulin çmimet, të çlirojë tregjet nga monopolet dhe të lejojë konkurrencën. Qeveria shqiptare ka vetëm një hall: korrupsionin! Qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të ndihmojë fermerin, por ndihmon KAYO-n. Nuk ka ndërmend të ndihmojë familjet shqiptare të përballojnë çmimet e rritura, por ndihmon koncesionarët. Qeveria shqiptare nuk investon dhe nuk jep para që sektori i fasonëve dhe bujqësia të vazhdojnë të zhvillohen, por mbështet ato rrugët e florinjta: një miliard euro, ndërsa gjysma e tyre sot janë në hetim”, thotë Jorida Tabaku

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick