Ish-futbollsti i kombëtares po hetohet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për pastrim parash.
Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare, për heqjen e sekuestros për vilën në Palasë.
SPAK i ka sekuestruar dy vila Igli Tares, një në Dhërmi dhe një në Palasë, të cilat dyshohet të kenë qenë të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, por figuronin ligjërisht në emër të Igli Tares.
Prokurorët e Posaçëm kanë dyshime se vilat e sekuestruara, Balluku i ka përfituar në mënyrë të paligjshme, përmes favorizimeve në tendera.
Igli Tare po hetohet nga Prokuroria e Posaçme për pastrim parash. Vila për të cilën Tare ka bërë kërkesën për heqjen e sekuestros është e dyta që iu sekuestrua Ballukut, të cilat SPAK dyshon se i kishte fshehur në emër të tij. Vila ndodhet në Palasë dhe ka një sipërfaqe trualli prej 478 metrash katrorë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, vila dyshohet se është përfituar në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Alko Impex General Construction”, e cila u shpall fituese, së bashku me një kompani tjetër, në tenderin prej afro 30 milionë eurosh (me TVSH) për lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Më herët, SPAK kishte sekuestruar një tjetër vilë në bregdetin e jugut, në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, gjithashtu të regjistruar në emër të Igli Tares.
Prokuroria e Posaçme dyshon se Balluku e ka përfituar këtë pronë si ryshfet në këmbim të favorizimit të kompanisë së ndërtimit “Eurocol” në dy tenderë për rikonstruksionin e godinës së Albcontrolit, me vlerë mbi 1 milion euro, në kohën kur ajo drejtonte institucionin.









