Punonjësit e emergjencës po hapin kalime mes betonit për të depërtuar në pjesët e ndërtesës ku dyshohet se mund të ketë njerëz. Në intervale të caktuara ata ndërpresin punën dhe kërkojnë heshtje, në përpjekje për të dëgjuar zëra ose sinjale nga personat e bllokuar.
Ekipet e emergjencës në Kolumbi po kërkojnë ende persona të mbijetuar pas tërmetit me magnitudë 7.4 që goditi vendin mëngjesin e së hënës. Deri tani raportohet për të paktën 254 viktima dhe afro 200 persona të zhdukur.
2,600 persona janë plagosur, ndërsa shpëtimi i një gruaje pas rreth 30 orësh dhe i një foshnjeje ka shtuar shpresat për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë.
Shërbimi Gjeologjik ka regjistruar më shumë se 70 lëkundje pasuese pas goditjes kryesore.
Një nga operacionet më të mëdha të kërkim-shpëtimit po zhvillohet në Cali, ku shembja e ndërtesës Torres del Limonar, në lagjen Capri, ka lënë disa persona nën rrënoja.
Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende sa njerëz ndodheshin brenda ndërtesës katërkatëshe në momentin e shembjes. Kryetari i bashkisë së Calit, Alejandro Ender, vlerësoi se rreth 25 persona mund të ishin bllokuar aty.
Sipas një prej shpëtimtarëve, ekipet kanë nxjerrë rreth dhjetë persona nga rrënojat. Raportimet flasin gjithashtu për të paktën gjashtë të mbijetuar, mes tyre një foshnjë disa muajshe.
Punonjësit e emergjencës po hapin kalime mes betonit për të depërtuar në pjesët e ndërtesës ku dyshohet se mund të ketë njerëz. Në intervale të caktuara ata ndërpresin punën dhe kërkojnë heshtje, në përpjekje për të dëgjuar zëra ose sinjale nga personat e bllokuar.
Mbi 100 familjarë dhe banorë janë mbledhur pranë zonës së shembjes dhe presin informacion për personat që nuk janë gjetur ende.
Mes tyre është edhe Efrain Gallego, i cili pret lajme për vëllain e tij 80-vjeçar. Ai ndodhej në ndërtesë së bashku me bashkëshorten kur ajo u shemb. Gallego vazhdon të presë që ekipet e kërkimit ta gjejnë të gjallë.
Shpresat për të gjetur të mbijetuar janë rritur pas dy operacioneve të suksesshme në Cali. Një grua u nxor e gjallë nga rrënojat gati 30 orë pas tërmetit. Në një tjetër ndërtesë të shembur, ekipet arritën të shpëtonin edhe një foshnjë.
Operacionet e kërkimit vazhdojnë në zonat e goditura, ndërsa autoritetet ende nuk kanë një bilanc përfundimtar për personat që ndodheshin në ndërtesat e shembura.









