Bardh Kapaj dhe Ertis Shehu janë dy ish-drejtuesit e Kadastrës së Fierit, që kanë rënë në pranga me urdhër të Prokurorisë, së bashku me përfituesin e pronave, Kastriot Hasko
Prokuroria e Fierit ka dalë në një njoftim zyrtar në lidhje me operacionin e mbrëmjes së djeshme, që çoi në pranga 4 persona, dy ish-drejtues të Kadastrës, një specialist të institucionit, dhe përfituesin Kastriot Hasko.
Ky i fundit përmes dokumenteve të falsifikuara të pronësisë, ka përvetësuar një sipërfaqe të madhe toke, në zonën e Fierit, prej më shumë se 1100 hektarësh tokë, të cilën më pas e ka shitur dhe te disa kompani, që planifikonin të kryenin investime. Ky nuk është rasti i parë që Hasko është përfshirë në një rast të tjetërsimit dhe falsifikimit të dokumenteve, pasi emri i tij doli në skenë dhe në Palasë.
Hasko pretendonte pronësinë e tokës, për të cilën pati një konflikt mes biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj. Mbetet e paqartë, sesi një 71-vjeçar, ia ka dalë i vetëm që të qëndrojë në krye të një skeme të tillë të tjetërsimit të pronave, duke pasur ndërhyrje deri në shkallët më të larta të Kadastrës.
Me urdhër të Prokurorisë, pronat prej më shumë se 1100 hektarësh tokë janë sekuestruar, së bashku me shumën prej 150 mijë eurosh që ka qenë në emër të Haskos.
Sipas Prokurorisë së Fierit, Hasko duke parqitur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1,143 hektarë si dhe 150.000 Euro të ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier.
Prokuroria evidenton faktin, se ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Bardh Kapaj, “kur ka regjistruar pasurinë nr. 3*, zk 3358, ka tejkaluar edhe sipërfaqen që sipas vendimit të falsifikuar nr. 8, datë 20.01.1997, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë Këshillit të Rrethit Fier, i ishte kthyer ish-pronarit Th.S., duke përfituar për rrjedhojë shtetasi K.H. edhe një sipërfaqe tjetër të konsiderueshme toke në pronësi”.
NJOFTIMI I PROKURORISË
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier u vendos masa e sigurimit personal ‘Arrest në burg’ ndaj katër shtetasve E.Sh., B.K. në cilësinë e drejtorëve të ASHK, P. Ç. specialistit, jurist, pranë ASHK dhe K.H., përfituesi i pronave nën akuzë për veprat penale ‘Falsifikim i dokumenteve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 186/2, 248 dhe 287, prg.2, të Kodit Penal.
Po kështu, në kuadër të hetimeve u sekuestruan mbi 76 pasuri, me sipërfaqe totale prej 1143 hektarë tokë (e barabartë me njëmbëdhjetë milion e katërqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëdhjetë e gjashtë m2), si dhe 150.000 euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjatë hetimeve të deritanishme për procedimin penal nr. 1026 të vitit 2025, kryer në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet përdorimit edhe të metodave proaktive, arriti të provojë se:
Shtetasi K.H., duke paraqitur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1,143 hektarë të ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier.
Më pas, ky shtetas, duke u paraqitur me cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit edhe të bashkëpronarëve të tjerë, me anë të një prokure të posaçme të falsifikuar, u ka shitur këtë tokë dy shoqërive të ndryshme.
Shtetasit E.Sh. dhe B.K., në cilësinë e drejtorëve të ASHK, Fier, dhe shtetasi P.Ç., në cilësinë e specialistit, jurist, pranë ASHK, Fier, kanë regjistruar pasuritë në fjalë në bashkëpronësi të shtetasit K.H., në kundërshtim me ligjin nr. 111/2018, “Për kadastrën”, dhe ligjin nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe VKM nr. 639, datë 16.10.2024, dhe Udhëzimin e Këshillit të Ministrave nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, duke mos kërkuar sipas këtyre akteve ligjore/nënligjore konfirmimin e vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, verifikim nga i cili do të rezultonte se këto vendime janë të falsifikuara.
Për më tepër, ka rezultuar se shtetasi B. K., ish drejtor i ASHK, Fier, kur ka regjistruar pasurinë nr. 3*, zk 3358, ka tejkaluar edhe sipërfaqen që sipas vendimit të falsifikuar nr. 8, datë 20.01.1997, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë Këshillit të Rrethit Fier, i ishte kthyer ish-pronarit Th.S., duke përfituar për rrjedhojë shtetasi K.H. edhe një sipërfaqe tjetër të konsiderueshme toke në pronësi.
Gjithashtu, shtetasit E.SH. e P.Ç. gjatë regjistrimit të pasurive kanë ndryshuar zërin kadastral të sipërfaqes së regjistruar në pronësi të shtetasve K.H., etj, nga tokë arë në tokë pa frut, pa një akt administrativ nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Bujqësisë apo Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier.
Masat e sigurimit personal dhe pasuror u ekzekutuan nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë si të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.









