Salvatore alias Shpëtim Aliu është një ndër shqiptarët më të përfshirë në botën e trafikut të drogës, së bashku me vëllain e tij, por edhe nipin.
Personi që shihni në foton e mësipërme është Salvatore (Shpëtim) Aliu, i cili është arrestuar në Rusi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Aliu është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe, sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, dyshohet se ka pasur një rol kyç në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
Për Aliun, në qershor të këtij viti, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, nën akuzën për trafikim të narkotikëve, pastrim të produkteve të veprës penale, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, gjatë viteve 2019-2021, Aliu ka arritur që të fusë në Evropë 50 tonë kokainë. Hetimet kanë arritur të zbardhin 5 raste të trafikut, teksa në një prej tyre janë sekuestruar plot 9 tonë kokainë.
Sipas SPAK, rrjeti vepronte në Amerikën Latine, kryesisht në Brazil, ndërsa kishte shtrirje edhe në Belgjikë dhe Holandë, si pika të rëndësishme të hyrjes së kokainës në Europë.
Por aktiviteti kriminal, sipas SPAK, nuk ndalej te trafiku i drogës. Një pjesë e të ardhurave dyshohet se transferohej cash në Shqipëri dhe më pas investohej në pasuri të paluajtshme, kompani ndërtimi, hoteleri dhe biznese të tjera, me qëllim fshehjen e origjinës kriminale të parave.
Në kuadër të hetimit, GJKKO ka vendosur sekuestro preventive ndaj 491 pasurive, me një vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro. Mes tyre janë vila, apartamente, toka, automjete, 209 llogari bankare, por edhe pasuri të lidhura me kompani ndërtimi dhe struktura hotelerie.
Në të njëjtën dosje janë përfshirë edhe persona të tjerë të dyshuar si pjesë e rrjetit, mes tyre Eldi Dizdari, Dritan Gjika, Armando Pacani dhe i vëllai, Isa Aliu.
SPAK u fokusua pikërisht tek raporti që Shpëtim Aliu kishte me vëllain, për të kuptuar se si funksiononte grupi i tij kriminal.
Salvatore është i lidhur me sigurimin, organizimin dhe lëvizjen e sasive të mëdha të kokainës, ndërsa Isa Aliu ishte i përfshirë në menaxhimin e parave dhe investimin e tyre në Shqipëri. Komunikimet në SKY ECC kanë zbuluar gjithashtu madhësinë e parave që qarkullonin midis tyre.
Në gusht 2020, Isa Aliu i komunikoi vëllait të tij se kishte 6 milionë euro në para të gatshme. Vetëm pak ditë më vonë, Salvatore i thoshte se do të vinin edhe 20 milionë euro të tjera. Bisedat shkojnë deri te mënyra se si duheshin fshehur paratë.
Një prej zgjidhjeve të diskutuara ishte vendosja e cash-it në fuçi 50-litroshe dhe groposja e tyre. SPAK ka ngritur dyshimin se Isa Aliu ka marrë nga vëllai i tij të paktën 30 milionë euro, të cilat janë përdorur më pas në investime, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.
Por Shpëtimi dhe Isa nuk janë të vetmit anëtarë të familjes Aliu, të përfshirë në botën e krimit. Nga hetimet e SPAK, ka rezultuar se të njëjtën rrugë ka zgjedhur edhe Oklido Aliu, djali i Isa Aliut dhe nipi i Salvatores.
Ai rezulton gjithashtu në listën e personave ndaj të cilëve është caktuar masë sigurie. Në dosje ai del me disa identitete dhe nofka, mes tyre Oklido El Ouejdi, “Kiço” dhe “Oliver”.
Sipas të dhënave të hetimit, Oklido Aliu kishte rol mbështetës në aktivitetin e grupit dhe lidhet edhe me përdorimin e dhunës ndaj personave që cenonin interesat e tij. Emri i tij është lidhur gjithashtu me vrasjen e biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan, më 30 nëntor 2025, ngjarje për të cilën hetuesit kanë ndjekur pistën e një konflikti financiar prej rreth 700 mijë eurosh. Pas vrasjes, Oklido Aliu u largua nga Shqipëria përmes Qafë-Thanës.









