Erkin Lika ishte një pjesëtar shumë i njohur i grupeve të kërkim-shpëtimit, i cili shquhej për angazhimin e tij në operacione për shpëtimin e personave të përfshirë në aksidente, ndërsa alpinizmi ishte pasioni i tij më i madh.
Një 33-vjeçar ka humbur jetën në lumin Mat, pranë urës së Vashës në Klos, pas një aksidenti gjatë një aktiviteti fizik me litar. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, kur i riu Erkin Lika ishte duke kryer ngjitje me litar dhe dyshohet se ka humbur ekuilibrin, duke rënë në ujërat e lumit.
Sipas të dhënave paraprake, 33-vjeçari mund të ketë përfunduar në një gropë thithëse në një pjesë të lumit, çka ka vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të kërkim-shpëtimit.
Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta shpëtimi, përfshirë edhe palombarët e repartit RENEA, të cilët kanë nisur kërkimet për gjetjen dhe nxjerrjen e trupit nga uji.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të ndërhyrjes, kërkimet deri më tani nuk kanë sjellë rezultat dhe trupi i pajetë i 33-vjeçarit ende nuk është nxjerrë nga lumi. Autoritetet vijojnë operacionin në zonën pranë urës së Vashës, ndërsa pritet përfundimi i kërkimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.









