Përhapja e flakëve ka ngritur shqetësime edhe për zonën e Sarisalltikut, vend i njohur pelegrinazhi në Malin e Krujës. Sipas raportimeve nga terreni, pranë zonës së rrezikuar ndodhen gjithashtu disa biznese.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë anën e malit të Krujës, duke krijuar një situatë kritike në disa zona të qytetit.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë për të ndërhyrë me mjete zjarrfikëse në disa prej vatrave, operacioni i shuarjes po kryhet edhe nga ajri.
Dy helikopterë vijojnë ndërhyrjen duke hedhur ujë mbi zonën e përfshirë nga flakët, me synim lokalizimin e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij drejt banesave.
Situata më alarmante paraqitet në lagjen Abaze, e cila ka rreth 300 banesa, ndërsa flakët po afrohen me disa prej tyre. Forcat në terren po punojnë për të mbajtur zjarrin nën kontroll dhe për të mbrojtur zonat e banuara.
Flakët po përhapen me shpejtësi në faqen e malit, të favorizuara edhe nga era, duke djegur pemë dhe bimësi.
Edhe banorët e lagjes janë përfshirë në përpjekjet për të frenuar zjarrin, duke përdorur mjete rrethanore.
Rrezikohet edhe Sarisalltiku
Përhapja e flakëve ka ngritur shqetësime edhe për zonën e Sarisalltikut, vend i njohur pelegrinazhi në Malin e Krujës. Sipas raportimeve nga terreni, pranë zonës së rrezikuar ndodhen gjithashtu disa biznese.
Ndërkohë, në qytetin e Krujës është ndërprerë furnizimi me energji elektrike.
Deri në këto momente nuk ka informacion të konfirmuar për banesa të djegura apo persona të lënduar. Gjithashtu, nuk është bërë e ditur zyrtarisht se çfarë e ka shkaktuar zjarrin.
Situata mbetet në zhvillim, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe mjetet ajrore po vijojnë ndërhyrjen për të kufizuar përhapjen e flakëve.









