Vendosmëria për të ngritur zërin kundër padrejtësisë, shitjes së vendit, korrupsionit dhe kastës së vjetër politike që ka kapur shtetin, nuk u mposht as nga shiu, as nga presioni politik dhe as nga vapa ekstreme e këtij viti që dogji të gjithë Europën.
Për të 100-n ditë radhazi, qytetarët janë rikthyer në protestë në qendër të Tiranës, këtë herë të grumbulluar përpara godinës së Kryeministrisë.
Në protestën e 100-të, aktivisti Edison Lika deklaroi se arritja e këtij pragu nuk shënon fundin e aksionit. Sipas tij, protestuesit janë të gatshëm ta vazhdojnë atë deri në realizimin e kërkesës së tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Jo vetëm është protestuar 100 ditë me radhë, por ka të njëjtin entuziazëm që ditën e parë”, deklaroi Lika përpara protestuesve.
Ai e paraqiti protestën jo vetëm si një lëvizje kundër qeverisë aktuale, por si përpjekje për atë që e quajti “një Shqipëri të re”.
Duke iu drejtuar qytetarëve përpara Kryeministrisë, Lika kërkoi vazhdimin e rezistencës edhe përtej 100-ditëshit.
“A do ta rrëzojmë Edi Ramën me gjithë sistemin e korruptuar?! A ka vullnet që të jemi këtu edhe 100 ditë, po qe nevoja?”, tha ai.
Sipas aktivistit, fakti që protesta ka mbërritur në ditën e 100-të dhe vazhdon të nxjerrë qytetarë në rrugë përbën mesazhin kryesor të tubimit të sotëm.
“Pikërisht kjo pjesëmarrje sot dhe ky entuziazëm është makthi i këtij pushteti, por i çdo pushteti”, deklaroi Lika.
Protesta e sotme vjen pas 100 ditësh aksioni të pandërprerë, ndërsa mesazhi i artikuluar përpara Kryeministrisë është se lëvizja synon të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me Ramën dhe sistemin politik në qendër të kritikave.









