Protesta para Kryeministrisë shënoi ditën e 70-të, me aktivistët që kërkuan vijimin e qëndresës dhe dorëheqjen e Edi Ramës. Nga sheshi u ngritën kritika edhe ndaj heshtjes së faktorit ndërkombëtar, ndërsa u paralajmërua pjesëmarrja e diasporës në protestat e 14-16 gushtit.
Thirrja “Rama, jep dorëheqjen” ka vijuar për të 70-tën ditë radhazi para Kryeministrisë, ku aktivistët deklaruan se protesta do të vazhdojë pavarësisht temperaturave të larta dhe periudhës së pushimeve.
Aktivisti Ilir Xhemalaj u ndal te qëndrimi i faktorit ndërkombëtar ndaj protestave, duke ngritur pyetjen se përse kancelaritë e huaja, sipas tij, nuk kanë reaguar ndaj zhvillimeve në Shqipëri.
“70 ditë që ky shesh oshëtin me thirrjen: ‘Rama, jep dorëheqjen’. Kjo thirrje është dëgjuar në çdo kancelari në kryeqytetet e botës, dhe bota sërish hesht. Ku janë? Pse nuk flasin për këtë revolucion që po ndodh në Shqipëri? Pse nuk flisni? Kush ua ka mbyllur gojën?!”, u shpreh Xhemalaj.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë qëndresën, duke e lidhur protestën me nevojën për ndryshim të sistemit politik. “Ne shqiptarët në historinë tonë e kemi çarë rrugën e historisë dhe do e bëjmë kështu. Ne si popull do ta çajmë këtë sistem, rrugën drejt fitores. Fitore!”, deklaroi aktivisti.
Në protestë foli edhe aktivistja Luçjana Kokaj, e cila tha se 70 ditë qëndresë kanë shërbyer, sipas saj, për të “vrarë frikën” dhe për të bashkuar qytetarët rreth kërkesës për ndryshim.
Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Kokaj deklaroi: “E vetmja besë që do të marrësh nga ne, zoti Kryeministër, është që nuk largohemi pa ikur ti”.
Ndërkohë, aktivisti Edison Lika njoftoi se diaspora pritet t’i bashkohet protestave në Tiranë gjatë datave 14-16 gusht. Ai tha se shqiptarët jashtë vendit janë të gatshëm të rikthehen kur vendi ka nevojë, duke theksuar se “ikja nuk është alternativë, por qëndresa”.
Protestuesit deklaruan se lëvizja do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, me kërkesën për ndryshim politik dhe dorëheqjen e kryeministrit.









