Reforma në shëndetësi, Spahiu: Më shumë siguri për barnat

Facebook
WhatsApp

Por 4 organizata të biznesit i kërkojnë Qeverisë që të mos e miratojë projektligjin për krijimin e shoqërisë shtetërore “MedAL sh.a.” pa e dërguar më parë për shqyrtim në Komisionin Evropian. Përmes një reagimi të përbashkët, at paralajmërojnë se reforma e re për furnizimin me barna dhe pajisje mjekësore rrezikon konkurrencën e lirë dhe bie ndesh me 4 kapituj të negociatave me BE-në

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka prezantuar paketën e re me katër projektligje në fushën e shëndetësisë, e cila synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe modernizimin e sistemit shëndetësor.

Një nga risitë kryesore të paketës është krijimi i shoqërisë publike MedAL, e cila synon të forcojë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me barna në institucionet publike shëndetësore, përmes koordinimit të blerjeve, planifikimit të nevojave dhe menaxhimit të integruar të stokut.

Gjatë aktivitetit “Shëndetësia drejt integrimit në BE 2030”, ku morën pjesë ekspertë të Bashkimit Evropian, përfaqësues të industrisë farmaceutike, institucioneve dhe grupeve të interesit, Spahiu theksoi se objektivi i reformës është garantimi i barnave të duhura në kohën e duhur, me cilësinë e kërkuar dhe me kosto të përballueshme për sistemin.

Paketa përfshin gjithashtu projektligje për produktet mjekësore për përdorim njerëzor, pajisjet mjekësore dhe pajisjet diagnostikuese in vitro. Sipas ministres, ndryshimet synojnë forcimin e standardeve të sigurisë dhe cilësisë, rritjen e gjurmueshmërisë, lehtësimin e aksesit në teknologjitë moderne dhe eliminimin e procedurave administrative të panevojshme.

Spahiu u ndal edhe te roli i sipërmarrjes private, duke theksuar se reforma do të mbështetet në transparencë, konkurrencë të ndershme, trajtim të barabartë dhe llogaridhënie.

“Objektivi i reformës është përmirësimi i funksionimit të sistemit publik. Ekspertiza dhe kapacitetet e sipërmarrjes private janë pjesë e rëndësishme e këtij ekosistemi. Organizimi i ri i furnizimit duhet të mbështetet në transparencë, konkurrencë të ndershme, trajtim të barabartë, paanshmëri rregullatore dhe llogaridhënie”, theksoi Spahiu.

Por 4 organizata të biznesit i kërkojnë Qeverisë që të mos e miratojë projektligjin për krijimin e shoqërisë shtetërore “MedAL sh.a.” pa e dërguar më parë për shqyrtim në Komisionin Evropian.

Përmes një reagimi të përbashkët, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma Britanike e Tregtisë, Unioni i Biznesit Farmaceutik dhe Shoqata Shqiptare e Përfaqësive Farmaceutike paralajmërojnë se reforma e re për furnizimin me barna dhe pajisje mjekësore rrezikon konkurrencën e lirë dhe bie ndesh me 4 kapituj të negociatave me BE-në.

Ato kërkojnë transparencë nga Ministria e Shëndetësisë: nëse drafti është dërguar tashmë në Bruksel, Ministria duhet të bëjë publik versionin e dërguar, fazën ku ndodhet shqyrtimi dhe vërejtjet e Komisionit Evropian, në mënyrë që të diskutohen hapur gjatë konsultimeve.

Katër organizatat paralajmërojnë se ky model i ri shtetëror prek katër fusha të rëndësishme të negociatave me BE-në dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit: mënyrën se si do të jepen tenderat publikë, rolin e kësaj shoqërie në treg dhe financimin apo ndihmën shtetërore për të , mënyrën si do të llogaritet ajo në statistikat kombëtare, si dhe kontrollin e auditimin e parave publike që do të përdoren, raporton Kapitali.

Edhe pse biznesi mbështet synimin që pacientët të marrin barna dhe shërbime në kohë, kujton se sot janë pikërisht kompanitë private ato që garantojnë cilësinë e ilaçeve gjatë magazinimit e transportit, si dhe mirëmbajnë pajisjet mjekësore.

Megjithatë, organizatat shprehen të gatshme të ulen në tryezë me Ministrinë për të përmirësuar furnizimin e spitaleve, me kusht që të mos dëmtohet tregu i lirë dhe shërbimi ndaj qytetarëve.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick