AKU: KLSH ngre alarmin për kontrollin e miellit dhe bukës

Facebook
WhatsApp

Laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të analizuar një pjesë të konsiderueshme të kontaminuesve që rrezikojnë sigurinë ushqimore të drithërave, miellit, bukës dhe produkteve të tjera me bazë drithi që konsumohen nga qytetarët shqiptarë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në raportin e auditimit të performancës “Kontrolli i cilësisë, magazinimi dhe importimi i drithërave (me fokus miellin)”, për periudhën 2020–2025, ka evidentuar një sërë problematikash që lidhen me mungesën e akreditimit të laboratorëve, pajisjet e amortizuara, kushtet e papërshtatshme të punës, mungesën e reagentëve dhe përdorimin e metodave të analizimit që datojnë prej vitit 1987.

Sipas KLSH-së, institucionet përgjegjëse nuk disponojnë një panoramë të plotë mbi nivelin real të kontaminimit të drithërave dhe produkteve të tyre në tregun shqiptar, ndërsa sistemi i kontrollit nuk garanton identifikimin në kohë të të gjitha produkteve potencialisht të pasigurta.

Nga 4,893 mostra të miellit dhe bukës, vetëm 12 rezultuan jashtë standardeve

Gjatë periudhës 2020–2025, laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë analizuar 4,893 mostra të bukës dhe miellit, nga të cilat vetëm 12, ose rreth 0.25%, kanë rezultuar jokonforme.

Problematikat e konstatuara lidhen kryesisht me praninë e insekteve të gjalla, krimbave, larvave, parazitëve, dëmtuesve të hambarëve, papastërtive fitosanitare, si dhe tejkalimin e treguesve të lagështisë dhe aciditetit.

Por KLSH paralajmëron se numri i ulët i mostrave që kanë rezultuar jashtë standardeve nuk duhet të interpretohet si tregues i një niveli të lartë të sigurisë ushqimore.

Sipas audituesve, rezultatet pasqyrojnë në masë të madhe faktin se laboratorët e AKU-së kontrollojnë një numër të kufizuar parametrash, kryesisht lagështinë, aciditetin, hirin, glutenin, porozitetin dhe papastërtitë fitosanitare.

Një pjesë e rëndësishme e kontaminuesve kimikë dhe biologjikë nuk monitorohen për shkak të mungesës së kapaciteteve teknike dhe pajisjeve të specializuara.

Toksinat e rrezikshme në drithëra që nuk analizohen në Shqipëri

Një nga gjetjet më shqetësuese të auditimit lidhet me pamundësinë e analizimit të një sërë mikotoksinash, të cilat mund të gjenden në drithëra dhe produktet e tyre.

Aktualisht, aflatoksinat përbëjnë grupin e vetëm të mikotoksinave që monitorohen në Shqipëri, ndërsa analizat për to realizohen nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).

Sipas raportit të KLSH-së, në asnjë laborator në Shqipëri nuk analizohen disa mikotoksina të tjera, mes të cilave deoksinivalenoli (DON), zearalenoni, fumonisinat, okratoksina A dhe toksinat T-2 dhe HT-2.

Gjithashtu, nuk realizohen analiza për nikelin në drithëra, ndërsa kapacitetet për monitorimin e metaleve të rënda dhe kontaminuesve të tjerë kimikë mbeten të kufizuara.

Toksinat T-2 dhe HT-2 prodhohen nga kërpudhat e gjinisë Fusarium dhe gjenden kryesisht në tërshërë, grurë, elb dhe misër. Ato mund të formohen gjatë kultivimit, por edhe gjatë magazinimit në kushte të papërshtatshme të lagështisë dhe temperaturës.

Bashkimi Evropian ka vendosur kufij maksimalë të detyrueshëm për këto toksina në drithëra, miell, bukë, makarona, drithëra mëngjesi dhe ushqime për foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Në Shqipëri, këta kontaminues nuk janë përfshirë ende në listën e treguesve që duhet të analizohen në kuadër të kontrollit zyrtar.

Shqipëria lejon nivele më të larta të disa toksinave se Bashkimi Evropian

KLSH ka evidentuar gjithashtu diferenca ndërmjet standardeve shqiptare dhe atyre të Bashkimit Evropian për nivelet maksimale të lejuara të disa kontaminuesve në ushqime.

Në rastin e deoksinivalenolit (DON), një prej mikotoksinave më të zakonshme në drithëra, kufijtë maksimalë të lejuar në Shqipëri janë dukshëm më të lartë se ata të BE-së.

Për drithërat e papërpunuara, Shqipëria lejon deri në 1,250 mikrogramë për kilogram, ndërsa BE-ja ka vendosur kufirin në 1,000 mikrogramë për kilogram.

Për grurin e fortë dhe misrin e papërpunuar, kufiri shqiptar mbetet 1,750 mikrogramë për kilogram, kundrejt 1,500 mikrogramëve në BE.

Për miellin, produktet e bluarjes dhe makaronat, Shqipëria lejon deri në 750 mikrogramë për kilogram, ndërsa BE-ja 600 mikrogramë. Për bukën dhe biskotat, kufiri shqiptar është 500 mikrogramë për kilogram, kundrejt 400 mikrogramëve në BE.

Veçanërisht shqetësuese është diferenca për ushqimet me bazë drithërash të destinuara për foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Kufiri maksimal i lejuar në Shqipëri mbetet 200 mikrogramë për kilogram, ndërsa Bashkimi Evropian e ka ulur në 150 mikrogramë për kilogram.

Pra, kufiri maksimal i lejuar në Shqipëri për këtë kategori produktesh është rreth 33% më i lartë se ai i Bashkimit Evropian.

Por, përtej diferencave në legjislacion, problemi kryesor mbetet fakti se laboratorët e AKU-së nuk kanë kapacitetet për të analizuar këta kontaminues dhe për të verifikuar respektimin e kufijve ligjorë.

Asnjë nga shtatë laboratorët rajonalë të AKU-së nuk është i akredituar

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit disponon shtatë sektorë rajonalë laboratorikë në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë dhe Shkodër.

Nga auditimi rezulton se asnjë prej tyre nuk është i akredituar sipas standardit ndërkombëtar ISO/IEC 17025:2017, i cili përcakton kërkesat për kompetencën teknike të laboratorëve dhe besueshmërinë e rezultateve të analizave.

Laboratorët vijojnë aktivitetin në bazë të autorizimit të ministrit përgjegjës për sigurinë ushqimore, por KLSH thekson se ky autorizim nuk përbën zëvendësim të procesit të akreditimit.

Audituesit kanë konstatuar mangësi në infrastrukturë, pajisje, dokumentacion, sistemin e menaxhimit të cilësisë dhe kushtet e punës.

Një pjesë e metodave të përdorura për analizimin e produkteve ushqimore mbështeten ende në standardet shqiptare STASH të viteve 1980, kryesisht të vitit 1987, disa prej të cilave rezultojnë të tejkaluara ose të shfuqizuara.

Kontrolli i sigurisë ushqimore, i varur nga një institucion i vetëm

Për shkak të kapaciteteve të kufizuara, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit mbështetet tek Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë për kryerjen e analizave më të specializuara, përfshirë aflatoksinat, mbetjet e pesticideve, Bacillus cereus dhe proteinën në miell dhe grurë.

Sipas KLSH-së, ISUV, megjithëse ka funksionin e laboratorit kombëtar të referencës, është detyruar të kryejë një volum të konsiderueshëm analizash rutinë që normalisht duhet të mbuloheshin nga laboratorët e AKU-së.

Kjo situatë krijon një varësi të lartë nga një institucion i vetëm, ku çdo ndërprerje shërbimi, kufizim kapacitetesh apo ngarkesë e lartë pune mund të ndikojë drejtpërdrejt në realizimin e programeve të monitorimit të sigurisë ushqimore.

Sistemi elektronik i krijuar në vitin 2018 nuk funksionon

Problematika tjetër e konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit lidhet me administrimin e rezultateve të analizave laboratorike.

Megjithëse Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Laboratorik (LIMS) është krijuar që prej vitit 2018, ai vijon të mos jetë funksional.

Laboratorët e AKU-së administrojnë informacionin përmes regjistrave fizikë dhe tabelave në Excel, ndërsa rezultatet e analizave të kryera në ISUV apo në laboratorë privatë nuk regjistrohen në mënyrë të centralizuar.

Në raste konkrete, si në Shkodër, rezultatet e analizave të kryera në laboratorë privatë ruhen vetëm në dosjet individuale të inspektimeve.

Kjo situatë kufizon gjurmueshmërinë e mostrave, shkëmbimin e informacionit ndërmjet laboratorëve dhe inspektorëve, si dhe mundësinë për të identifikuar produktet apo operatorët që paraqesin rrezik më të lartë për konsumatorët.

KLSH kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe akreditimin e laboratorëve

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural që brenda vitit 2026 të hartojnë dhe zbatojnë një plan të detajuar veprimi për akreditimin e laboratorëve sipas standardeve ndërkombëtare, duke përcaktuar afatet, burimet financiare dhe përgjegjësitë institucionale.

Gjithashtu, kërkohet marrja e menjëhershme e masave për modernizimin e pajisjeve, sigurimin e reagentëve, përmirësimin e kushteve të punës dhe zgjerimin e gamës së analizave për mikotoksinat, metalet e rënda dhe kontaminuesit e tjerë.

KLSH rekomandon përditësimin e legjislacionit shqiptar në përputhje me standardet më të fundit të Bashkimit Evropian, përfshirjen e toksinave T-2, HT-2 dhe nikelit në programet e monitorimit, si dhe funksionalizimin e sistemit elektronik të menaxhimit të informacionit laboratorik.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick