Përplasje edhe sot midis policisë dhe protestueve, disa arrestime

Facebook
WhatsApp

Përplasjet e një dite më parë nuk i kanë zmbrapsur protestuesit, të cilët janë rikthyer në shesh për të vijuar kundërshtimin ndaj qeverisë së Edi Ramës. Tubimi i 29 Nëntorit është përshkallëzuar me hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarrëve, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës, spraj me piper dhe ujë me presion. Gjatë ndërhyrjes janë kryer edhe arrestime.

Protestuesit nisën të mblidheshin që në orët e paradites në sheshin “Skënderbej”, ku u shfaqën me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola. Më pas, marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Tensionet e para u shfaqën përpara godinës qeveritare, kur një grup protestuesish shkruan një mesazh fyes ndaj Edi Ramës në murin e Kryeministrisë. Menjëherë pas këtij veprimi, efektivët me skafandra përforcuan kordonin e sigurisë.

Situata u përshkallëzua kur disa protestues hodhën fishekzjarrë, kapsolla dhe bomba molotov në drejtim të godinës dhe kordonit policor. Në përgjigje, policia përdori spraj me piper dhe gaz lotsjellës, ndërsa autobotët ndërhynë me ujë me presion për të shpërndarë turmën.

Ndryshe nga një ditë më parë, këtë herë protestuesit arritën deri te hyrja e Kryeministrisë, pasi në momentet e para zona nuk ishte e rrethuar nga kordoni policor. Disa prej tyre u ngjitën në shkallët e godinës, ndërsa një e moshuar, e njohur si “Nëna e Revolucionit”, vendosi në dyert e institucionit stikera me mbishkrimin “Rama jep dorëheqjen”. Në krye të marshimit u panë edhe të rinj të maskuar, disa prej tyre me shkopinj në duar.

Gjatë ndërhyrjes policore, efektivët ndërmorën një ofensivë për largimin e protestuesve nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. U kryen disa shoqërime dhe arrestime, ndërsa në pamjet e publikuara nga vendngjarja shihet edhe një i ri i shtrirë në tokë, i tërhequr zvarrë nga policët. Zona përpara Kryeministrisë u boshatis përkohësisht, por tensionet dhe përpjekjet për rigrumbullimin e protestuesve vijuan.

Ndërkohë, bilanci i protestës së 28 Nëntorit vazhdon të jetë pjesë e hetimeve. Sipas të dhënave të publikuara nga Policia dhe të raportuara nga mediat, 12 persona janë arrestuar dhe 19 të tjerë janë proceduar penalisht, ndërsa 17 efektivë policie janë lënduar.

Po ashtu, Policia njoftoi arrestimin e një 29-vjeçareje dhe shpalljen në kërkim të dy personave të tjerë, në kuadër të operacionit “Distribution of Elements”. Gjatë kontrollit të automjetit të saj u sekuestruan 91 koktej molotov, 166 fishekzjarrë, 17 kapsolla dhe 59 tuba metalikë. Sipas hetimeve paraprake, sendet dyshohet se do të përdoreshin gjatë protestës së 28 Nëntorit.

Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick