Rajoni është kthyer në një hallkë të rëndësishme të zinxhirit europian të furnizimit për industrinë e makinave. Megjithatë, modeli i ndërtuar mbi paga të ulëta dhe incentiva fiskale po përballet me kufijtë e tij. Tranzicioni drejt makinave elektrike dhe rritja e kostove po e vendosin sektorin përballë një prove të re.
Prej më shumë se dy dekadash, Ballkani Perëndimor ka ndërtuar një model zhvillimi të bazuar në tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte përmes taksave të ulëta, subvencioneve, zonave të lira ekonomike dhe kostos konkurruese të punës.
Si rezultat, rajoni është integruar në zinxhirin europian të furnizimit automotive, duke prodhuar kabllo, sisteme elektrike, pjesë metalike, tapiceri, fibra karboni dhe komponentë plastikë për markat globale. Megjithatë, pas këtij suksesi fshihet një strukturë e brishtë dhe e ndryshme nga një vend në tjetrin.
Maqedonia e Veriut është ekonomia më e varur nga industria automotive. Sektori përfaqëson mbi gjysmën e eksporteve të vendit, me vlera që luhaten mes 3 dhe 4 miliardë eurove në vit dhe me rreth 35 mijë vende pune të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me të.
Kjo e bën ekonominë shumë të ndjeshme ndaj çdo lëkundjeje në industrinë europiane, veçanërisht asaj gjermane. Serbia mbetet qendra më e madhe industriale në rajon. Me rreth 140 kompani furnizuese dhe eksporte që kalojnë 4 miliardë euro në vit, sektori gjeneron miliarda të ardhura dhe përfaqëson një pjesë të rëndësishme të eksporteve kombëtare.
Investimet nga kompani të mëdha ndërkombëtare kanë qenë thelbësore, por mbylljet e fundit të disa fabrikave tregojnë ekspozimin e lartë ndaj krizave të jashtme. Bosnja dhe Hercegovina hyn në këtë industri me trashëgimi nga periudha jugosllave, duke ruajtur një bazë teknike dhe inxhinierike më tradicionale.
Eksportet automotive arrijnë qindra miliona euro në vit dhe përfaqësojnë një pjesë të qëndrueshme të eksporteve totale. Kompanitë boshnjake janë të përqendruara kryesisht në prodhimin e pjesëve mekanike dhe komponentëve metalikë.
Shqipëria ka rritur gradualisht praninë e saj në sektor. Në vitin 2025, grupi “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” arriti rreth 39.7 miliardë lekë eksporte, duke zënë mbi 11% të totalit. Në krahasim me vitin 2015, vlera e eksporteve është disa herë më e lartë, por ritmi i rritjes është ngadalësuar.
Sektori përballet me presion nga mbiçmimi i lekut dhe rritja e kostove të punës, duke e zbehur avantazhin tradicional të punës së lirë. Kosova mbetet ekonomia më e vogël automotive në rajon, me eksporte modeste prej disa milionë eurosh në vit.
Megjithatë, ndryshe nga modeli klasik i volumit të lartë, disa kompani po fokusohen në segmente të specializuara, si fibra karboni apo sisteme ndriçimi për marka premium. Strategjia e saj bazohet më shumë te specializimi sesa te prodhimi masiv.
Mali i Zi qëndron praktikisht jashtë hartës prodhuese automotive. Ekonomia e tij është e orientuar kryesisht drejt konsumit dhe importit të automjeteve, me rol minimal në prodhimin e komponentëve.
Një element i përbashkët për shumicën e vendeve është varësia e lartë nga Gjermania, si treg eksporti, investitor dhe standard teknik. Kjo lidhje e fortë i bën ekonomitë e rajonit të ndjeshme ndaj çdo ngadalësimi në industrinë gjermane të automobilave.
Kostoja e punës mbetet një faktor kyç konkurrues, por diferencat po ngushtohen. Serbia ka pagat më të larta në sektorin prodhues, ndërsa Kosova dhe Shqipëria mbeten më konkurrueset. Megjithatë, emigracioni, tkurrja demografike dhe rritja e pagave po e dobësojnë gradualisht këtë avantazh.
Modeli i ndërtuar mbi punë intensive dhe incentiva fiskale ka arritur një pikë kthese. Tranzicioni drejt automjeteve elektrike kërkon më shumë teknologji, softuer, automatizim dhe dije inxhinierike – fusha ku rajoni ka ende mangësi.
Sfida për dekadën e ardhshme është e qartë: Ballkani Perëndimor duhet të ngjitet më lart në zinxhirin e vlerës, duke investuar në aftësi dhe inovacion, ose rrezikon të mbetet krahu i lirë i punës në industrinë europiane të automobilizmit.









