Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka identifikuar tashmë personin që dyshohet se ka tentuar të fusë lëndën narkotike në institucion.
Një sasi lënde e dyshuar narkotike është zbuluar gjatë tentativës për ta futur në ambientet e IEVP “Jordan Misja”, i njohur si burgu 313, në Tiranë.
Sipas informacionit të bërë të ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, gjatë kontrolleve janë gjetur 17 doza të dyshuara kokainë dhe 13 doza të dyshuara hashash.
Lënda e dyshuar narkotike ishte fshehur brenda ushqimeve që një familjar kishte sjellë për një person me mbiemrin Asllani, i cili dyshohet për veprën penale të vrasjes.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka identifikuar personin që dyshohet se ka tentuar të fusë lëndën narkotike në institucion. Sasia e gjetur është sekuestruar dhe pritet t’i përcillet organit të akuzës për vijimin e hetimeve dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore.
Ndërkohë, kontrollet po vijojnë edhe në qelitë e burgut 313, me qëllim verifikimin nëse brenda ambienteve të institucionit ndodhen sende të tjera të ndaluara.









