Kryedemokrati ka sulmuar mbledhjen dyditore të zhvilluar në Pogradec nga kryeministri Edi Rama me ministrat dhe drejtues të Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë një “aheng qeveritar”.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se vendimi për kandidatin e PD-së për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2027 do të merret gjatë javëve të ardhshme.
I pyetur nëse PD do të zhvillojë primare për përzgjedhjen e kandidatit, Berisha tha se partia do të nisë së shpejti përgatitjet për zgjedhjet vendore.
“PD në kohë shumë të afërt do të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Çështja e hapjes së garës, ndonëse në njëfarë mënyre nuk është se nuk është punuar, është punuar, por po vazhdon puna dhe në momentin më të parë do ta shpallim”, tha ai.
Lidhur me mundësinë e përjashtimit të primareve, Berisha u shpreh se nuk ka asnjë vendim për ndryshimin e kësaj procedure.
“Jo, nuk ka asnjë vendim që të përjashtohen primaret. Nuk ka”, tha ai.
Sa i përket garës për Tiranën dhe mundësisë që PD të mbështesë një kandidat të pavarur, Berisha tha se gjithçka do vendoset në javët e ardhshme.
I pyetur konkretisht për Ilir Alimehmetin si një kandidat të mundshëm për Bashkinë e Tiranës, Berisha e cilësoi atë si një personalitet të shquar të PD dhe të qytetit të Tiranës, duke shtuar se vendimi përfundimtar do të merret në javët në vijim.
Kryedemokrati ka sulmuar mbledhjen dyditore të zhvilluar në Pogradec nga kryeministri Edi Rama me ministrat dhe drejtues të Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë një “aheng qeveritar”.
Sipas Berishës, takimi nuk prodhoi zgjidhje konkrete për problematikat me të cilat përballen qytetarët. Ai akuzoi qeverinë se nuk dha përgjigje për një sërë çështjesh sociale dhe ekonomike.
“Cili ishte rezultati i këtyre takimeve? Mashtrime, mashtrime dhe vetëm mashtrime. Çfarë doli nga Pogradeci? U mblodhën për të zgjidhur hallet e kombit. Çfarë solli si rezultat kjo mbledhje?”, tha Berisha.
Kreu i PD-së u ndal te pensionet, nisja e vitit të ri shkollor, situata në shëndetësi, kostot e jetesës dhe vështirësitë që, sipas tij, hasin qytetarët për përballimin e qirave dhe blerjen e një banese.
“Do më shkruante një mik i imi pensionist: dua ta falënderoj atë plakun që përqafoi Edi Ramën se na shpëtoi nga ulja e pensioneve. Çfarë solli? Çfarë dëgjuan nxënësit, mësuesit e këtij vendi për vitin e ri shkollor? Çfarë dëgjuan të sëmurët e Shqipërisë për shëndetin e tyre?”, u shpreh ai.
Berisha iu referua gjithashtu situatës ekonomike të familjeve shqiptare, duke pretenduar se mbi 30% e qytetarëve janë të rrezikuar nga pamundësia për të siguruar ushqimin. Ai ngriti shqetësimin edhe për çmimet e larta të qirave në kryeqytet.
“Çfarë dëgjuan qytetarët shqiptarë, që në Tiranë duhet të paguajnë qira më shumë se 2/3-tat e rrogës së tyre? Çfarë dëgjuan studentët, të cilët nisin vitin e ri shkollor në universitet në pamundësi për të paguar qiratë e larta, apo të rinjtë për të blerë një strehë familjare?”, tha Berisha.
Në përfundim, kreu demokrat akuzoi qeverinë se është e shkëputur nga problemet e përditshme të qytetarëve, duke përsëritur cilësimin e takimit në Pogradec si një “aheng qeveritar”.
“Pra, a mund të imagjinohet një shkëputje stratosferike e tillë, e cila shpreh një shkallë stratosferike inkriminimi të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, që kalojnë nga ahengu qeveritar në aheng tjetër qeveritar dhe bëjnë sikur në Shqipëri nuk ndodh asgjë”, deklaroi Berisha.









