Të moshuarit ishin protagonistët kryesorë në tubimin e sotëmr para Kryeministrisë. Ndërkohë mbi 120 akademikë shqiptarë të diasporës shprehën mbështetjen për protestat dhe kërkuan drejtësi, meritokraci dhe institucione në shërbim të qytetarëve.
Protesta qytetare përpara Kryeministrisë në Tiranë shënoi sot ditën e saj të 18-të, duke sjellë këtë herë në qendër të vëmendjes zërin e pensionistëve dhe të moshuarve. Organizatorët kanë vendosur që, për shkak të temperaturave të larta, tubimet të zhvillohen nga ora 19:00, ndërsa marshimet janë kufizuar brenda Unazës së Tiranës.
Mbrëmja e sotme u karakterizua nga mesazhe të forta mbi gjendjen ekonomike të të moshuarve, të cilët kërkuan trajtim më dinjitoz dhe përmirësim të kushteve të jetesës. Një pensionist që mori fjalën para protestuesve tha se një pjesë e madhe e të moshuarve nuk arrijnë të përballojnë as nevojat më bazike të përditshmërisë.
Sipas tij, pensionet aktuale nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet për ilaçe, qira, energji elektrike dhe ujë, duke bërë që shumë pensionistë të jetojnë në vështirësi ekonomike. Ai theksoi se shtresa e të moshuarve ka përjetuar sakrifica të mëdha ndër vite dhe se vazhdon të ndihet e braktisur nga politika.
Në fjalën e tij, pensionisti e lidhi revoltën qytetare jo vetëm me çështje të veçanta që kanë ngjallur debat publik, por me një pakënaqësi më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes në vend. Ai bëri thirrje që protestat të vazhdojnë dhe pjesëmarrja qytetare të zgjerohet edhe më tej në ditët në vijim.
Mes protestuesve ishte edhe aktori i njohur Mehdi Malkaj, i cili përcolli një mesazh simbolik për rolin e të moshuarve në shoqëri. Ai vlerësoi kontributin e gjyshërve si bartës të kujtesës historike dhe emocionale të një kombi, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së vlerave dhe identitetit kombëtar.
Ndërkohë, protestat kanë marrë edhe mbështetjen e një grupi prej mbi 120 akademikësh shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Në një deklaratë publike, ata shprehën solidaritet me qytetarët protestues dhe kërkuan një Shqipëri të qeverisur me më shumë përgjegjshmëri, transparencë dhe drejtësi.
Akademikët argumentojnë se pakënaqësia qytetare është rezultat i dështimeve të përsëritura politike dhe institucionale, të cilat kanë dobësuar besimin e qytetarëve te shteti dhe te mundësitë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre. Sipas tyre, protestat nuk janë një reagim i momentit, por shprehje e një lodhjeje të thellë shoqërore ndaj modeleve të qeverisjes që nuk kanë funksionuar në interes të së mirës së përbashkët.
Në deklaratë vihet theksi veçanërisht te gjendja e arsimit, shkencës dhe inovacionit. Akademikët kritikojnë nënfinancimin e këtyre sektorëve, mungesën e meritokracisë, dobësimin e integritetit akademik dhe mungesën e një vizioni afatgjatë për zhvillimin e dijes. Ata paralajmërojnë se pa arsim cilësor, kërkim shkencor serioz dhe institucione që vlerësojnë meritën, Shqipëria nuk mund të ndërtojë një ekonomi konkurruese dhe institucione demokratike të forta.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre është largimi i vazhdueshëm i të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar nga vendi. Akademikët theksojnë se rikthimi i besimit te dija, puna dhe merita është kusht i domosdoshëm për të ndalur këtë fenomen dhe për të krijuar mundësi reale zhvillimi.
Ata shprehën gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën e tyre në ndërtimin e institucioneve moderne, duke nënvizuar se ndryshimi politik duhet të shoqërohet me një transformim të thellë institucional dhe shoqëror.









